Një hua prej 4 mijë eurosh, e cila duhej të kthehej brenda një muaji, u shndërrua në një makth për një grua nga Maqedonia e Veriut. Edhe pse ajo ia kishte kthyer të gjithë shumën personit që ia kishte dhënë borxh, bashkë me kamatën e dakorduar prej 2.500 eurosh, kërkesat ndaj saj nuk përfunduan aty, përcjell TV21. Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, personi që i kishte dhënë paratë kërkoi më pas ta përdorte llogarinë e saj bankare për të qarkulluar para të përfituara nga zhvatja. Kur gruaja refuzoi, nisën kërcënimet.
Madje, sipas hetimeve, asaj iu kërkua që automjetin e saj ta vendoste si peng për borxhe që në të vërtetë nuk ekzistonin. Për këtë qëllim, të dyshuarit përgatitën dokumente fiktive, falsifikuan nënshkrimin e saj dhe i vërtetuan te noteri pa dijeninë e saj. Prokuroria thotë se grupi nuk u ndal me kaq. Duke shfrytëzuar dokumentet e falsifikuara, ata vazhduan t’i bënin presion gruas që t’ua dorëzonte automjetin dhe të shlyente një borxh të pretenduar prej një milion denarësh.
Në njoftimin e Prokurorisë përshkruhet edhe mënyra se si funksiononte grupi:
“Në një periudhë më të gjatë kohore, përkatësisht që nga viti 2021, grupi i formuar nga i dyshuari i parë nga Kumanova, me kërcënime të rënda ka zhvatë para nga persona të dëmtuar, duke i detyruar dhe më së shpeshti duke shfrytëzuar varësinë e tyre për shkak të huave të mëparshme. Edhe pse të dëmtuarit i kishin kthyer shumat e dakorduara, të dyshuarit vazhdonin t’u kërkonin pagesa shtesë, ndërsa llogaritë e tyre i përdornin për të transferuar shuma të mëdha parash të përfituara nga zhvatja, duke i paraqitur ato si hua formale dhe më pas duke i tërhequr në para të gatshme”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Një tjetër viktimë kishte marrë dy herë nga 180 mijë denarë hua, në vitin 2021. Paratë i nevojiteshin për trajtimin mjekësor të bashkëshortes. Edhe pse i kishte kthyer të gjitha mjetet sipas marrëveshjes, të dyshuarit vazhduan t’i kërkonin pagesa shtesë në emër të kamatës. Sipas Prokurorisë, duke e shfrytëzuar këtë gjendje varësie, ata e detyruan edhe këtë person që llogarinë e tij bankare ta përdornin për transferimin e shumave të mëdha të parave të përfituara nga zhvatja. Për këto raste, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur procedurë hetimore ndaj katër personave, të dyshuar për pjesëmarrje në bashkim kriminal, pastrim parash dhe zhvatje. Për tre prej tyre është kërkuar masa e paraburgimit, ndërsa personi i katërt prej një periudhe ndodhet jashtë vendit.
Në këtë rast është përfshirë edhe një noter, i dyshuar për punë të pandërgjegjshme në shërbim, pasi kishte lejuar vërtetimin e dokumenteve të rreme. Për të është kërkuar caktimi i masave të kujdesit. Hetimi është në vazhdim, ndërsa të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.



