Po ndryshon sistemi: Gjatë fundjavës mund të ndërpriten shërbimet bankare te të gjitha bankat në vend

Gjatë fundjavës së ardhshme mund të ketë ndërprerje dhe kufizime të përkohshme në shërbimet bankare. Shoqata Bankare Maqedonase informon se të gjitha bankat më 7 dhe 8 nëntor do të kryejnë përshtatje teknike të sistemeve të tyre, për shkak të futjes së standardeve të reja në qarkullimin e pagesave në denarë, të cilat hyjnë në fuqi nga e hëna, 9 nëntor.

Kufizimet do të prekin më së shumti transakcionet e pagesave, por oraret e sakta, shërbimet që do të preken dhe kohëzgjatja e ndërprerjeve do t’i njoftojë secila bankë veç e veç.

Nga Shoqata u bëjnë thirrje qytetarëve dhe kompanive që t’i planifikojnë pagesat me kohë dhe t’i ndjekin njoftimet e bankave të tyre, për të shmangur probleme eventuale gjatë fundjavës.

Nga e hëna fillon zbatimi i urdhërpagesave të reja, i kodeve të reja për qëllimin e pagesës dhe i përdorimit të llogarive të pagesave në formatin IBAN. Numrat ekzistues të llogarive nuk do të ndryshojnë, ndërsa shfaqja e tyre në formatin e ri në bankarinë elektronike dhe mobile do ta përshtasin automatikisht bankat.

Nga Shoqata Bankare Maqedonase sigurojnë se bëhet fjalë për aktivitete teknike të planifikuara paraprakisht, që janë pjesë e modernizimit të sistemit kombëtar të pagesave.