A do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut? Kjo është njëra ndër pyetjet më të diskutuara aktualisht në skenën politike të vendit. Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar disa herë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, por më pas ka ndryshuar qëndrimin, duke krijuar paqartësi në opinionin publik dhe te vetë subjektet politike.
Ditën e djeshme u raportua për një dakordësi të mundshme ndërmjet partive politike për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm. Megjithatë, deri në një konfirmim zyrtar, këto mbeten vetëm raportime dhe spekulime politike. Pavarësisht kësaj, diskutimet për një skenar të tillë kanë shkaktuar lëvizje dhe reagime në skenën politike, ku disa parti kanë shprehur gatishmërinë për t’u përballur me zgjedhjet, ndërsa të tjera kanë kundërshtuar një mundësi të tillë, shkruan FaktiDitor.info
Në këtë dinamikë politike, zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Bërvenicë duket se kanë marrë një peshë shumë më të madhe sesa rëndësia e një gare të zakonshme komunale. Rezultati i tyre nuk ka prodhuar vetëm ndryshime në nivel lokal, por ka nxitur një debat më të gjerë mbi raportet ndërmjet partive politike, qëndrueshmërinë e shumicës parlamentare dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Bërvenica trondit skenën politike dhe marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës
Bërvenica është një komunë relativisht e vogël, por zhvillimet e fundit dëshmuan se pesha e saj politike mund të jetë shumë më e madhe sesa përmasat e saj territoriale. Kjo u vërtetua në dy dimensione: së pari, në ndikimin që rezultati zgjedhor pati në skenën politike të vendit dhe, së dyti, në tensionet që nxori në pah brenda shumicës qeverisëse VMRO-DPMNE–VLEN.
Komuna shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pas vdekjes së kryetarit të zgjedhur në vitin 2025. Në këtë garë u përballën kandidatët e katër koalicioneve kryesore politike në vend. Rezultati i raundit të parë ishte dukshëm i ndryshëm nga ai i zgjedhjeve të vitit paraprak, duke reflektuar ndryshimet në raportet politike dhe elektorale në terren, shkruan FaktiDitor.info
Në balotazh kaluan kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe AKI-së, përkatësisht të partisë kryesore maqedonase në pushtet dhe të koalicionit shqiptar në opozitë. Ky zhvillim shënoi një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me zgjedhjet e vitit 2025, kur në raundin e dytë ishin përballur kandidatët e dy subjekteve që aktualisht janë pjesë e shumicës qeverisëse, VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it. Kjo tregon se brenda një periudhe relativisht të shkurtër kanë ndodhur ndryshime në raportet e përfaqësimit dhe të mbështetjes elektorale, veçanërisht në kampin politik shqiptar.
Në kampin maqedonas, VMRO-DPMNE arriti sërish të sigurojë kalimin në balotazh, por rezultati i saj dëshmoi një rënie të numrit të votave në krahasim me zgjedhjet paraprake apo 444 vota më pak. Kështu, VMRO-DPMNE humbi një komunë që më parë e kishte fituar, ndërsa AKI siguroi një fitore me rëndësi politike dhe simbolike, shkruan FaktiDitor.info
Për VMRO-DPMNE-në, rezultati në Bërvenicë ishte një tronditje dhe një zhvillim që meriton analizë, sidomos në raport me mbështetjen elektorale që ajo gëzon në nivel lokal dhe qëndror. Ndërkaq, për opozitën shqiptare, fitorja krijoi një momentum të ri politik, duke e shndërruar Bërvenicën në një pikë referimi për kritikën ndaj VLEN-it dhe për kërkesat për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve ishte ndikimi i tyre në marrëdhëniet brenda shumicës qeverisëse. Menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare, nga VMRO-DPMNE erdhën reagime të ashpra ndaj partnerit të saj të koalicionit, VLEN-it. Ky i fundit u cilësua si një “Kalë Troje”, një metaforë me ngarkesë të fortë simbolike, përmes së cilës përfaqësues të VMRO-DPMNE-së shprehën pakënaqësinë për atë që e konsideruan si mungesë të mbështetjes së VLEN-it për kandidatin e tyre dhe ndihmë politike ndaj BDI-së në këtë komunë.
Kjo retorikë nxori në pah pakënaqësitë brenda koalicionit qeverisës dhe vuri në pikëpyetje nivelin e besimit politik ndërmjet dy partnerëve. Edhe pse reagimet e tilla nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht një prishje të marrëdhënieve qeverisëse, ato dëshmojnë se rezultati i Bërvenicës ka prekur drejtpërdrejt raportet brenda shumicës parlamentare.
Kush është pro dhe kush kundër zgjedhjeve të parakohshme?
Rezultati i Bërvenicës duket se ka ndikuar në mënyrën se si partitë politike e vlerësojnë momentin aktual elektoral dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Secila prej tyre e interpreton këtë zhvillim në funksion të interesave dhe kalkulimeve të veta politike.
VMRO-DPMNE, e cila në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 fitoi 58 mandate deputetësh si pjesë e koalicionit “Maqedonia Jote”, aktualisht përballet me një realitet politik më kompleks sesa ai i periudhës pas fitores së saj të madhe zgjedhore. Edhe pse në zgjedhjet lokale të vitit 2025 siguroi rezultate të konsiderueshme, humbja në Bërvenicë ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e mbështetjes së saj elektorale në vend, shkruan FaktiDitor.info
Në këtë kontekst, zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si një mundësi për të matur dhe konfirmuar mbështetjen elektorale përpara përfundimit të mandatit të rregullt parlamentar në vitin 2028. Nga ana tjetër, shtyrja e zgjedhjeve deri në përfundim të mandatit mund t’i japë kohë opozitës dhe aktorëve të tjerë politikë që të konsolidojnë pozitat e tyre dhe të shfrytëzojnë pakënaqësitë e mundshme ndaj qeverisjes aktuale. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kalkulimet e brendshme të VMRO-DPMNE-së do ta shtyjnë atë drejt një vendimi për zgjedhje të parakohshme.
AKI, si forca kryesore e opozitës shqiptare, doli nga zgjedhjet në Bërvenicë me një fitore që ka rëndësi përtej nivelit komunal. Ky rezultat i ka dhënë koalicionit një argument të ri politik për të ushtruar presion ndaj qeverisë dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Në kampin e saj politik, fitorja mund të interpretohet si dëshmi e rritjes së mbështetjes elektorale dhe si mundësi për të konsoliduar pozitat në raport me partitë e tjera shqiptare. AKI duket se e konsideron momentin aktual si një mundësi për ta kthyer rezultatin e Bërvenicës në një momentum më të gjerë politik, duke synuar të dalë forca dominuese në kampin shqiptar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shkruan FaktiDitor.info
Në anën tjetër, VLEN, si përfaqësuesi kryesor shqiptar në koalicionin qeverisës, duket se është subjekti që ka pësuar humbjen më të dukshme politike dhe simbolike në Bërvenicë. Në zgjedhjet e vitit 2025, kandidati i tij kishte arritur në raundin e dytë, ndërsa vetëm një vit më vonë VLEN nuk arriti të sigurojë as kalimin në balotazh. Ky rezultat ka ngritur pikëpyetje mbi mbështetjen e koalicionit dhe pozitën e tij në raport me elektoratin shqiptar.
Për këtë arsye, VLEN po shfaqet më i rezervuar apo edhe kundërshtues ndaj mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme. Përfaqësuesit e tij kanë theksuar se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja, por zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve. Ky qëndrim mund të lexohet edhe si përpjekje për të fituar kohë politike, për të konsoliduar pozitat brenda qeverisë dhe për të dëshmuar rezultate konkrete në periudhën e mbetur deri në zgjedhjet e rregullta.
Humbja në Bërvenicë dhe tensionet e krijuara me partnerin kryesor qeverisës e kanë vendosur VLEN-in përballë një situate më të ndërlikuar politike. Në këto rrethana, koalicioni duhet të përballet njëkohësisht me sfidën e ruajtjes së pozicionit brenda shumicës qeverisëse dhe me presionin në rritje nga opozita shqiptare.
Prilli, një datë e mundshme për zgjedhjet e parakohshme?
Nëse zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm, siç është raportuar, ato do të zhvilloheshin në një kontekst politik dukshëm të ndryshëm nga ai i zgjedhjeve të vitit 2024. VMRO-DPMNE do të synonte të konfirmonte mbështetjen e saj elektorale, AKI do të përpiqej ta shndërronte fitoren në Bërvenicë në një sukses më të gjerë politik, ndërsa VLEN do të përballej me sfidën e rikthimit të besimit të elektoratit shqiptar, shkruan FaktiDitor.info
Megjithatë, deri në një vendim zyrtar, mbajtja e zgjedhjeve në prill mbetet një skenar politik dhe jo një zhvillim i konfirmuar. Ajo që tashmë është e dukshme është se rezultati në Bërvenicë ka ndikuar në kalkulimet e partive dhe ka nxjerrë në pah tensionet që ekzistojnë brenda shumicës qeverisëse.
Bërvenica mund të mos jetë përcaktuese për fatin e qeverisë, por është shndërruar në një tregues të rëndësishëm të ndryshimeve në raportet politike në vend. Pyetja nuk është më vetëm nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, por edhe se në çfarë pozicionesh do t’i gjenin ato partitë politike dhe sa do të arrinin ta shndërronin mbështetjen aktuale në vota./FaktiDitor.info



