Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës, shqiptarët në komunën e Butelit kanë regjistruar numrin më të madh të lindjeve gjatë periudhës 2010–2024.
Këtë e ka bërë të ditur Faruk Nevzati, i cili, duke iu referuar statistikave zyrtare, thekson se nga gjithsej 6.890 fëmijë të lindur në këtë periudhë, 3.255 janë shqiptarë, apo 47.24 për qind e numrit të përgjithshëm.
Nevzati thekson gjithashtu se nga 5.441 personat e vdekur gjatë së njëjtës periudhë, vetëm 966 kanë qenë shqiptarë, që përbën 17.75 për qind të totalit.
Ai veçon edhe bilancin negativ demografik të komunitetit serb në Butel, ku gjatë 15 viteve janë regjistruar 147 vdekje dhe vetëm 36 lindje, me një diferencë negative prej 111 personash.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në komunën e Butelit jetojnë 40.612 banorë, prej të cilëve 17.794 maqedonas dhe 15.678 shqiptarë.
Duke analizuar këto të dhëna, Nevzati vlerëson se konfiguracioni etnik i komunës së Butelit mund të ndryshojë në vitet e ardhshme. Si faktorë shtesë ai përmend zhvillimin e lagjes së Vizbegut, lëvizjen e banorëve shqiptarë nga Çairi drejt Butelit, si dhe proceset e legalizimit dhe përditësimit të dokumentacionit të vendbanimit.
Të dhënat dhe interpretimin e tyre Faruk Nevzati i ka publikuar duke iu referuar statistikave zyrtare të ESHS-së për periudhën 2010–2024.



