Shtëpia e Bardhë ka paraqitur një plan-kornizë për sigurinë evropiane, së bashku me garancitë e sigurisë për Ukrainën, teksa administrata e presidentit Donald Trump, po përgatitet për bisedime trepalëshe të paqes me Ukrainën dhe Rusinë, që do të mbahen javën e ardhshme në Abu Dabi.
I dërguari i presidentit amerikan, Trump, Jared Kushner, i prezantoi detajet e kësaj nisme përmes një postimi në rrjetet sociale më 5 nëntor, pas diskutimeve në Bruksel me zyrtarë ukrainas, të NATO-s dhe evropianë.
Korniza e propozuar përfshin konsultime të përhershme për sigurinë, komunikim në kohë krizash, transparencë më të madhe ushtarake, masa reciproke për të ulur rreziqet e përshkallëzimit, si dhe një marrëveshje afatgjatë për sigurinë dhe stabilitetin evropian.
Kushner tha se kjo nismë do të respektonte sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo vendi, teksa asnjë shtet nuk do të kishte të drejtë vetoje mbi zgjedhjet e sigurisë apo aleancat e një shteti tjetër. Ai theksoi se NATO-ja do të mbetej në qendër të mbrojtjes kolektive evropiane.
Ky njoftim u bë pas takimit më 5 nëntor në Shtëpinë e Bardhë mes Trumpit dhe të dërguarit të posaçëm të presidentit rus, Vladimir Putin, Kirill Dmitriev. Trump tha se beson që një “marrëveshje e madhe dhe e shkëlqyer” mund të arrihet shpejt, duke sugjeruar se ajo mund të përfshijë jo vetëm Ukrainën, por “të gjithë Evropën”.
“Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën”, u tha Trump gazetarëve, duke parashikuar se “të gjithë do të jenë të kënaqur”.
Kushner tha se konsultimet do të vazhdonin përmes formatit të quajtur Shell Bay, ku përfshiheshin Ukraina, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe partnerët e tjerë evropianë, ndërkaq Rusia po ashtu do të merrte pjesë në negociatat për paqe.
Shqetësimet e sigurisë
Lidhja e propozuar mes garancive të sigurisë për Ukrainën dhe një arkitekture më të gjerë të sigurisë evropiane ka ngritur pikëpyetje në mesin e ekspertëve për Rusinë lidhur me shtrirjen e kësaj nisme dhe ndikimin e saj në NATO.
Glen Howard, president i Fondacionit Saratoga, njëherësh strateg për çështjet e Rusisë, i tha Radios Evropa e Lirë se njoftimi i Kushnerit mund të synojë që ta sigurojë Ukrainën dhe aleatët evropianë se Uashingtoni nuk po i braktisë interesat e tyre, teksa ushtron presion ndaj Rusisë para negociatave.
Por, Howard tha se referenca ndaj një arkitekture më të gjerë të sigurisë evropiane është veçanërisht shqetësuese.
Ai iu referua deklaratave të bëra javën e kaluar nga këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Yury Ushakov, i cili bëri thirrje që NATO-ja të kthehej në pozicionin që kishte para vitit 1997, përpara se aleanca të zgjerohej në Evropën Lindore dhe në shtetet baltike.
“Që kur ka Rusia të drejtë të japë mendim për të ardhmen e NATO-s dhe për zhbërjen e krahut lindor të saj?”, tha Howard, duke vënë në pikëpyetje se çfarë lëshimesh do të ofronte Rusia në këmbim.
Ai paralajmëroi se edhe vetëm vendosja e qëndrimit të NATO-s në tryezën e negociatave do të mund të krijonte një precedent për Rusinë dhe administratat e ardhshme amerikane.
Howard e krahasoi qasjen e mundshme me Marrëveshjen e Munihut të vitit 1938, e cila i lejoi Gjermanisë Naziste të aneksonte një pjesë të Çekosllovakisë, në këmbim të premtimit të Adolf Hitlerit se nuk do të kishte më pretendime territoriale. Ai po ashtu përmendi shqetësimet më të gjera lidhur me qëndrimin e administratës Trump ndaj Rusisë, përfshirë komentet e zyrtarit të lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, i cili u bëri thirrje shteteve baltike të zbusin retorikën kundër Rusisë.
Ai sugjeroi po ashtu se përgatitjet e Francës dhe Britanisë për dislokimin e mundshëm të forcave paqeruajtëse në Ukrainë, si dhe diskutimet për ridrejtimin e gazit përmes Ukrainës, mund të jenë pjesë e një strategjie më të gjerë në kuadër të negociatave.
John Herbst, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë dhe drejtor i lartë në Qendrën për Euroazinë të Këshillit Atlantik, u shpreh pak optimist lidhur me bisedimet e ardhshme.
Ai përmendi deklaratën e fundit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se Rusia nuk do të bëjë asnjë kompromis, si dhe raportimet për emërimin e Vladimir Medinskyt në krye të delegacionit rus në Abu Dabi. Medinsky më herët ka udhëhequr ekipet negociuese ruse, por në ato takime nuk është arritur ndonjë përparim.
Herbst tha se përfshirja evropiane mund të ndihmojë në ruajtjen e mbështetjes për Ukrainën dhe ta nxisë Uashingtonin të mbajë një qëndrim më të fortë. Megjithatë, ai paralajmëroi se përpjekjet evropiane për të ndikuar tek administrata amerikane kanë pasur ndikim të kufizuar, krahasuar me aftësinë e Kremlinit për të ndikuar te Trumpi.
Ai ngriti pyetjen pse Uashingtoni po përqendrohej te marrëveshjet e sigurisë pas luftës dhe te shtensionimi i situatës, përpara se të siguronte një zotim të mirëfilltë nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve.
Herbst sugjeroi se refuzimi i Rusisë për të bërë lëshime e ka shtyrë administratën e Trumpit që të kërkojë përparim në fusha të tjera, në vend se të ushtrojë presion më të madh ndaj Kremilinit.
Sipas tij, sfida është te hartimi i garancive mjaftueshëm të forta për ta siguruar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por jo që ato të jenë aq të gjera sa Rusia të mund ta refuzojë një marrëveshje.
“Kjo është një detyrë e pamundur”, i tha Herbst Radios Evropa e Lirë, duke argumentuar se Rusia nuk dëshiron garanci serioze të sigurisë për Ukrainën, teksa Kievi ka nevojë për to në mënyrë që të mbijetojë si shtet i pavarur.
Sipas Herbstit, një përparim i mirëfilltë do të ishte një zotim i qartë i Rusisë për t’i dhënë fund luftimeve, gjë që ai e konsideron se ka pak gjasa që të arrihet. Ai tha se Putini ende synon që ta marrë Ukrainën nën kontroll dhe dëshiron që presidenti Trump ta bindë Kievin që të heqë dorë nga pjesët e Donbasit që ende janë nën kontrollin e Ukrainës.
Në pamundësi që ta pushtojë territorin përmes fushatës ushtarake, Putini mund të vazhdojë të sulmojë qytetet dhe infrastrukturën civile të Ukrainës, me qëllim që ta detyrojë Kievin të dorëzohet, tha Herbst.
Pritjet nga Abu Dabi
Bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë janë caktuar që të mbahen më 10 dhe 11 nëntor dhe, sipas Kushnerit, ato do të jenë bisedimet e para të paqes që nga shkurti.
Mark Temnycky, bashkëpunëtor i jashtëm në Qendrën për Euroazinë të Këshillit Atlantik, i tha Radios Evropa e Lirë se pret përparim gradual, por jo ndonjë përparim të madh.
Sipas tij, pengesat kryesore mbeten mosmarrëveshjet territoriale dhe siguria e Ukrainës pas përfundimit të luftës.
Që garancitë e sigurisë të jenë të besueshme, Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane duhet të pajtohen se si do të zbatohen ato dhe kush do të financojë rindërtimin e Ukrainës.
Grupi i Bankës Botërore, Komisioni Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Qeveria e Ukrainës vlerësojnë se nevojat për rindërtimin e vendit gjatë dekadës së ardhshme arrijnë në rreth 588 miliardë dollarë.
Temnycky paralajmëroi se Uashingtoni nuk mund thjesht t’i ofrojë Ukrainës anëtarësimin në BE si pjesë e një marrëveshjeje. Vendimi për këtë çështje u takon të 27 shteteve anëtare të bllokut evropian.
Dy diplomatë të lartë evropianë në Uashington i thanë Radios Evropa e Lirë më 5 nëntor se udhëheqësit evropianë nuk besojnë se Rusia është e gatshme të bëjë lëshime lidhur me Ukrainën apo sigurinë evropiane.
Përpjekje paralele diplomatike
Aktiviteti i fundit diplomatik përkon me disa nisma të tjera që synojnë krijimin e një momentumi drejt arritjes së një marrëveshjeje.
Më 5 nëntor, zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë përfaqësues rusë dhe ukrainas për të shënuar një armëpushim gjashtëditor, që ajo e ndërmjetësoi në qytetin ukrainas Oleshki – të pushtuar nga Rusia – në rajonin e Hersonit. Gjatë ndërprerjes së luftimeve, në fund të tetorit, nga ky qytet u evakuuan afër 800 persona.
“Ne zgjodhëm humanitetin në vend të luftës”, tha Melania Trump, duke u bërë thirrje palëve që ta shfrytëzojnë këtë nismë për të gjetur pika të përbashkëta, nisur nga shqetësimi për civilët.
Ndërkaq, Zelensky ka shkuar në Spanjë për bisedime lidhur me forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe ai do të zhvillojë takime në kuadër të Samitit Ibero-Amerikan. Ai tha se para negociatave në Abu Dabi është planifikuar që të ketë kontakte të tjera me zyrtarë amerikanë.
“Po koordinohemi me partnerët tanë për të arritur rezultate konkrete në çështjet e sigurisë dhe për hapat e ardhshëm drejt paqes”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Takimi i Trumpit me Dmitrievin po ashtu tërhoqi vëmendje, pasi i dërguari rus vazhdon të jetë nën sanksione të Departamentit amerikan të Thesarit.
Një zyrtar amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se ky nuk është takimi i parë mes dy zyrtarëve i zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe hodhi poshtë pretendimet se sanksionet e kanë penguar Dmitrievin të udhëtojë drejt SHBA-së. Ai tha se janë lëshuar leje të posaçme për të mundësuar vizitën. Deri më tani, nuk është njoftuar për asnjë vendim zyrtar për heqjen e tij nga lista e sanksioneve amerikane./REL/



