U mbështet te dritarja e hotelit, por ajo u shkëput papritur, 26-vjeçarja bie nga kati i shtatë dhe humb jetën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një 26-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, ka humbur jetën pasi ra nga kati i shtatë i një hoteli, në momentin kur dritarja ku ishte mbështetur u shkëput papritur.

Viktima është identifikuar si Renata Rebeca Negrão Saldanha dos Santos. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të së martës, në hotelin Rio Poty, në qytetin Sao Luis të Brazilit. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentet e fundit para tragjedisë. E reja shihet duke ecur në korridorin e hotelit së bashku me të dashurin e saj. Në një moment, ajo mbështetet fillimisht në mur pranë dritares dhe më pas vendos peshën e trupit mbi të.

Por, papritur, korniza prej alumini shkëputet dhe 26-vjeçarja bie nga kati i shtatë. I dashuri i saj, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, shihet duke qëndruar për disa sekonda përballë dritares së hapur, përpara se të afrohet dhe të shikojë poshtë. Pak çaste më vonë, një punonjës i hotelit mbërrin në korridor pasi dëgjon zhurmën, ndërsa burri ulet dhe ngre duart.

Sipas mediave lokale, gruaja ra mbi një tendë që mbulonte hyrjen e hotelit. Megjithëse mori ndihmën e parë mjekësore, ajo nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Policia braziliane po e heton ngjarjen si një aksident. I dashuri i viktimës u ndalua fillimisht dhe u mor në pyetje, por më pas u la i lirë.

Ai u tha hetuesve se në momentin e ngjarjes kishte qenë nën efektin e alkoolit. George Marques, drejtuesi i policisë që po merret me çështjen, deklaroi se deri tani nuk janë konstatuar shenja dhune apo përfshirjeje të personit tjetër.

“Nuk pati shtyrje. Ai nuk ishte as pranë saj”, deklaroi zyrtari i policisë.

Hetuesit kanë ekzaminuar edhe strukturën e dritares, për të përcaktuar se çfarë shkaktoi shkëputjen e saj. Deri më tani, sipas autoriteteve, nuk ka përfundime teknike që të përcaktojnë shkakun e rrëzimit të strukturës apo të evidentojnë parregullsi.

Renata, e cila ishte nga qyteti Ananindeua, kishte mbërritur në São Luís më 28 tetor së bashku me të dashurin e saj, nga shteti Para. Çifti kishte planifikuar të kthehej në shtëpi pikërisht të martën, ditën kur ndodhi tragjedia. 26-vjeçarja la pas dy fëmijë, njëri prej të cilëve vetëm katër vjeç.

Trupi i saj është dërguar në qytetin e lindjes, ku familjarët dhe miqtë do t’i japin lamtumirën e fundit. Nëna e saj, Betty Negrão, ka rrëfyer dhimbjen e madhe për humbjen e së bijës.

“Vajza ime doli për t’u argëtuar dhe tani po e pres në arkivol”, tha ajo për mediat lokale.

Ndërkohë, miqtë dhe të afërmit kanë publikuar mesazhe prekëse në rrjetet sociale.

“Sot zemra ime është në zi. Kemi jetuar, luajtur dhe jemi rritur së bashku. Kemi ndarë momente që koha nuk do të mund t’i fshijë kurrë”, shkroi një prej tyre.

Familjarët kanë hapur gjithashtu një fushatë financimi në internet për të mbuluar shpenzimet e kthimit të trupit të saj në vendlindje. Nga ana e tij, hoteli Rio Poty shprehu ngushëllimet më të thella për vdekjen e 26-vjeçares dhe solidaritetin me familjen dhe miqtë e saj në këto momente të vështira.