Masakër në Turqinë perëndimore, 8 të vrarë dhe një i plagosur rëndë nga disa sulme me armë zjarri, arrestohet autori i dyshuar

Tetë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas një serie sulmesh me armë zjarri në provincën Afyonkarahisar, në perëndim të Turqisë. Autori i dyshuar është arrestuar pas një operacioni kërkimi të zhvilluar nga autoritetet.

Ngjarjet ndodhën të enjten, ndërsa viktimat u gjetën në disa zona të ndryshme, brenda tre automjeteve. Sipas raportimeve të mediave vendase, tre persona u vranë pranë fshatit Ayazini dhe tre të tjerë në afërsi të fshatit Kiyir. Ndërkohë, në Yukaritandir, dy gra u gjetën të plagosura dhe më vonë ndërruan jetë në spital.

Mes viktimave raportohet se janë edhe dy mësues.

Pas sulmeve, i dyshuari u largua nga vendngjarja, duke shkaktuar nisjen e një operacioni të gjerë policor. Autoritetet njoftuan më vonë se ai ishte arrestuar në provincën Eskişehir.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga mediat turke, tregojnë një person të veshur me xhaketë të zezë, pantallona të bardha dhe syze, i cili mban në duar një armë të gjatë pranë një furgoni të kuq.

Sipas gazetës “Milliyet”, automjeti që dyshohet se ishte marrë nga autori u gjet më vonë i bllokuar në baltë. Ai e kishte braktisur mjetin dhe ishte larguar në këmbë.

Policia mbylli rrugët që të çonin drejt fshatrave ku ndodhën sulmet, ndërsa vijonte operacioni për kapjen e autorit.