Zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut dëshmojnë se, shqiptarët përballen me një qasje politike që synon forcimin e homogjenitetit politik maqedonas, pa e trajtuar vendin si shtet të përbashkët të të gjithë qytetarëve dhe popujve të tij.
Qasja e disa partive politike maqedonase, përmes qëndrimeve dhe politikave të tyre ndaj çështjeve të barazisë shqiptare, funksionimit të mekanizmave të përfaqësimit dhe Marrëveshjes së Ohrit, ka nxitur shqetësime për pozitën e shqiptarëve dhe karakterin e shtetit multietnik.
Homogjenizimi i një populli nuk duhet të bëhet në kurriz të një populli tjetër. Maqedonia e Veriut nuk mund të ndërtohet mbi logjikën e shumicës dhe pakicës, por mbi barazinë, respektin e ndërsjellë dhe përgjegjësinë e përbashkët.
Prandaj, uniteti politik i shqiptarëve nuk është çështje e interesave partiake, por domosdoshmëri për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar, të drejtave të fituara dhe perspektivës së barabartë në shtetin ku jetojmë.
Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Serbi dhe bashkimi i partive politike shqiptare në një listë të përbashkët dëshmuan se bashkërendimi politik mund të sjellë rezultate të rëndësishme.
Diaspora shqiptare me vite e ka kërkuar unitetit dhe e dëshmoi mbështetjen e saj për unitetin politik, duke treguar se çështjet kombëtare dhe dinjiteti i shqiptarëve i tejkalojnë kufijtë dhe ndarjet politike.
Raundi i dytë i zgjedhjeve në Bërvenicë dhe fitorja e merituar e Arkin Jahijit treguan se, kur jemi të bashkuar, kemi forcën për të dëshmuar realitetin demografik dhe, përballë çdo përpjekjeje për ta shpërfillur atë, për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar.
Mendoj se edhe bashkimi i opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përmes AKI-së, ka kaluar disa sprova dhe filtra politikë. Ky koalicion ka dëshmuar qëndrueshmërinë e tij dhe tani duhet ta vazhdojë rrugëtimin, duke prodhuar rezultate konkrete dhe pozitive për shqiptarët.
Uniteti nuk është vetëm bashkim për të fituar zgjedhjet, por bashkim për të mbrojtur dinjitetin dhe për të garantuar të ardhme të respktuar edhe nga të tjerët!



