Nëse vendi vazhdon të mbetet i izoluar, pa perspektivë evropiane dhe i zhytur në konflikte politike e ndëretnike, ndryshimi duhet të vijë nga të gjithë, pa dallim etnie apo përkatësie politike.
Studentët shqiptarë e ngritën zërin për realizimin e të drejtave të tyre ligjore. Opozita e bashkuar shqiptare arriti ta mposhtë VMRO-në në komunën e Bërvenicës. Ndërkohë, edhe brenda VLEN-it, me siguri po akumulohen pakënaqësi, sepse është e pamundur të durohen pafundësisht padrejtësitë, anashkalimi dhe injorimi me të cilat përballen shqiptarët.
Kjo situatë duket se ka zgjuar të paktën një pjesë të faktorit politik shqiptar, i cili, ndoshta, do të detyrohet të kërkojë një zgjidhje të përbashkët për të ardhmen e shqiptarëve.
Por, nëse duam që ky vend të ketë një të ardhme me perspektivë, nuk mjafton të zgjohet vetëm faktori politik shqiptar. Është e domosdoshme të zgjohet edhe faktori politik dhe shoqëror maqedonas: qoftë përmes forcave progresive brenda partive që janë pjesë e pushtetit, qoftë përmes bashkimit të opozitës maqedonase.
Por këtu shtrohet një pyetje thelbësore: Ku janë studentët maqedonas? Ku është klasa intelektuale dhe qytetare që duhet të ngrejë zërin për të ardhmen e vendit?
Ku është reagimi ndaj dështimit për integrimin evropian, ndaj izolimit të vendit, ndaj përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe krijimit të vazhdueshëm të armiqve imagjinarë te popujt fqinjë, duke i paraqitur ata si pengesën kryesore të perspektivës së vendit?
Një shoqëri që nuk kërkon llogari nga qeveria për dështimet e saj, që nuk reagon ndaj humbjes së perspektivës dhe që nuk angazhohet për një të ardhme më të mirë, rrezikon të mbetet peng i politikave dhe ambicieve të liderëve të saj nacionalistë.
Studentët në Serbi u shndërruan në një lëvizje të fuqishme qytetare, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndryshime politike. Në Shqipëri, studentët dhe të rinjtë po kërkojnë ndryshime dhe llogaridhënie.
Po studentët maqedonas? Pse zëri i tyre nuk dëgjohet?
E ardhmja e këtij vendi nuk mund të ndërtohet mbi nacionalizëm, izolim dhe përçarje. Ajo kërkon qytetarë të ndërgjegjshëm, intelektualë të guximshëm dhe forca politike që vendosin interesin e përbashkët mbi interesat partiake.
Ndryshimi nuk është vetëm përgjegjësi e shqiptarëve. Është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve që duan një shtet demokratik, të barabartë dhe me perspektivë evropiane.



