Sipas një analize të re të Forbes, ish-anëtari i Beatles tani ka një pasuri neto prej 1.4 miliardë dollarësh, duke u renditur pas Jay-Z dhe Taylor Swift
Paul McCartney i është bashkuar radhëve të miliarderëve të botës. Forbes e ka vlerësuar pasurinë neto të ish-anëtarit të Beatles në 1.4 miliardë dollarë, duke e bërë muzikantin e tretë më të pasur në botë, pas Jay-Z, me 2.8 miliardë dollarë, dhe Taylor Swift, me 2 miliardë dollarë.
Revista ia atribuon pasurinë McCartneyt katalogut të tij muzikor, manovrave ligjore, turneve dhe koleksionit të artit. 84-vjeçari e siguron pjesën më të madhe të pasurisë së tij përmes MPL Communications, kompanisë botuese që e themeloi në vitin 1969 dhe që administron katalogun e tij muzikor, si dhe ata të artistëve të tjerë.
Blerja nga kompania e të drejtave të autorit të artistëve si Buddy Holly, si dhe e partiturave të muzikaleve të Broadway-it dhe këngëve klasike të Krishtlindjeve, si “It’s Beginning to Look a Lot Like Christmas” ose “The Christmas Song (Chestnuts Roasting On An Open Fire)”, përbën një vlerë prej afro një çerek miliard dollarësh. Sa herë që një shkollë e mesme vë në skenë muzikalin “Grease” ose dikush dëgjon përmes platformave digjitale këngën “Blue Suede Shoes”, McCartney fiton para, sipas Forbes.
Përveç kësaj, si ish-anëtar i Beatles, McCartney merr 25 për qind të të ardhurave nga kompania mbajtëse Apple Corps e grupit, e cila gjeneron rreth 50 milionë dollarë (37.2 milionë funte) në vit nga të ardhurat e mbetura prej transmetimeve në platformat digjitale dhe shitjet e disqeve vinil e produkteve promocionale. Ai gjithashtu fiton rreth 10 milionë dollarë (7.4 milionë funte) në vit nga të drejtat e autorit për këngët e grupit, një pasuri e çmuar në industrinë e botimeve muzikore, për të cilën ai ka luftuar në gjykatat amerikane dhe britanike gjatë dy dekadave të fundit. Publikimi vlerëson se kjo pasuri kap vlerën e 200 milionë dollarëve.
Vlerësimet e revistës për pasurinë e McCartneyt përfshijnë gjithashtu të ardhurat nga turnetë e tij, së fundmi nga 79 koncertet e turneut të tij “Got Back”, të mbajtura nga viti 2022 deri në vitin 2025, si dhe pasuritë e paluajtshme në mbarë botën dhe pikturat e artistëve me vlerë të lartë, si Magritte dhe Picasso.
McCartney vazhdon të jetë muzikant aktiv edhe në të 80-at, me publikimin në maj të këtij viti të albumit të tij më të fundit, “The Boys of Dungeon Lane”. Ai u paraqit si i ftuar muzikor në episodin përmbyllës të sezonit të “Saturday Night Live” në po atë muaj dhe në korrik interpretoi këngën klasike të Beatles, “I Want to Hold Your Hand”, për herë të parë pas 60 vjetësh, në kuadër të dasmës madhështore të miliarderes tjetër Swift me Travis Kelce, e mbajtur në Madison Square Garden, ku morën pjesë shumë yje.
Këtë vit, McCartney ishte gjithashtu subjekt i dokumentarit “Man on the Run”, me regji të Morgan Neville, që trajton jetën e tij pas largimit nga Beatles.



