Google paralajmëron përdoruesit e Gmail-it: Një mjet i ri hakerimi mund të ekspozojë të dhënat tuaja private

Përdoruesit e Gmail-it këshillohen të kontrollojnë cilësimet e sigurisë së llogarive të tyre, pas raportimeve për një mjet të ri të krimit kibernetik, i cili është krijuar për të synuar drejtpërdrejt kutitë private të postës elektronike.

Softueri, i njohur si Remus Stealer, është reklamuar në forume online si një mjet që u mundëson hakerëve të sigurojnë qasje të paautorizuar në email-at personalë të përdoruesve, sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Hudson Rock, e cila ka hetuar funksionimin e tij.

Operatorët e programit keqdashës Remus Stealer po promovojnë një funksion të ri, përmes të cilit kriminelët kibernetikë mund të hyjnë drejtpërdrejt në kutitë hyrëse të Gmail-it të viktimave, përmes një paneli kontrolli, raporton Cyber Insider.

Zhvilluesit e këtij softueri pretendojnë se hakerët mund të vazhdojnë të kenë qasje në mesazhet e viktimave edhe pasi ato të ndryshojnë fjalëkalimin e llogarisë së Google ose të mbyllin shfletuesin e internetit.

Sipas Hudson Rock, Remus Stealer u ofron kriminelëve kibernetikë qasje në kutitë private të Gmail-it përmes një abonimi që kushton 1 mijë dollarë në muaj, shkruan nypost– transmeton Sinjali.

Programet keqdashëse të njohura si Infostealer janë krijuar për të mbledhur të dhëna të ndjeshme nga pajisjet e infektuara, përfshirë fjalëkalimet dhe kredencialet e kyçjes në llogari. Infektimet e tilla zakonisht ndodhin përmes shkarkimit të programeve që maskohen si softuerë legjitimë, megjithëse mënyra e saktë se si funksionon Remus Stealer ende nuk është konfirmuar.

Hudson Rock ka shqyrtuar njoftimin për versionin 1.3.9 të këtij programi, ka kontaktuar zhvilluesin e tij dhe ka biseduar me një person që e kishte përkrahur publikisht këtë funksion, në përpjekje për të kuptuar më shumë rreth mjetit të hakerimit.

Një përdorues i Remus Stealer i ka raportuar Hudson Rock se hakeri kishte vazhduar të kishte qasje në email-in e komprometuar edhe pasi përdoruesi kishte mbyllur shfletuesin dhe kishte ndryshuar fjalëkalimin e llogarisë.

I njëjti burim ka deklaruar se përmes këtij aplikacioni mund të përgjohen edhe kodet e verifikimit nga shërbimet e tjera online. Remus promovon mundësinë e përgjimit të kodeve që dërgohen përmes email-it, pa pasur nevojë për mbledhjen e skedarëve të kukive (cookies) të shfletuesit.

Sipas pretendimeve të zhvilluesve, ndryshimi i fjalëkalimit dhe mbyllja e sesioneve aktive nuk e ndërpresin këtë qasje. Programi gjithashtu reklamon mundësinë e krijimit të lidhjeve përmes të cilave kutitë postare mund të shpërndahen edhe me persona të tjerë.

Megjithatë, studiuesit ende nuk kanë arritur të verifikojnë në mënyrë të pavarur nëse mbledhja e mesazheve vazhdon edhe pasi llogaria të sigurohet plotësisht dhe të gjitha sesionet aktive të ndërpriten.

Edhe llogaritë e tjera online mund të jenë të rrezikuara, pasi qasja e paautorizuar në email mund t’u mundësojë hakerëve të pranojnë lidhje për rivendosjen e fjalëkalimeve dhe kode verifikimi për shërbime të ndryshme.

Për abonimin mujor prej 1 mijë dollarësh, hakerët përfitojnë një panel qendror kontrolli, ku mund të shohin të dhënat e email-eve dhe të ndajnë qasjen me hakerë të tjerë.

Studiuesit e sigurisë kibernetike në Hudson Rock kanë analizuar materialet promovuese të këtij mjeti dhe kanë theksuar se, ndonëse ndryshimi i fjalëkalimit është një masë e domosdoshme parandaluese, përdoruesit duhet të ndërmarrin edhe hapa të tjerë për të mbrojtur llogaritë e tyre.

Pamjet e ndërfaqes së programit tregojnë se ai ofron mundësi për kërkimin e përmbajtjes së email-eve, detajeve të dërguesve dhe kohës së pranimit të mesazheve. Kjo sugjeron se hakerët mund të kenë qasje në të gjithë kutinë postare dhe jo vetëm në kodet e veçanta të verifikimit.

Google rekomandon që përdoruesit të ndryshojnë fjalëkalimet dhe të ndërpresin sesionet që nuk i njohin.

“Përdoruesit mund t’i bëjnë të pavlefshme sesionet e vjedhura duke larguar programin keqdashës nga pajisja e prekur dhe duke ndërprerë sesionet aktive”, ka deklaruar një zëdhënës i Google për Cybernews.

Ndërkaq, studiuesit këshillojnë përdoruesit që të kontrollojnë me kujdes cilësimet e llogarive të tyre, përfshirë rregullat e përcjelljes së email-eve, filtrat, opsionet e rikuperimit të llogarisë dhe lejet e dhëna aplikacioneve të palëve të treta, për t’u siguruar se nuk janë bërë ndryshime të paautorizuara.