Një rast tronditës ka ngritur shqetësime te organizatat për të drejtat e grave. Esther Wanja Muthoni, një punëtore shtëpiake 40-vjeçare nga Kenia, rrezikon të marrë 100 goditje me kamxhik në Arabinë Saudite, pasi lindi një fëmijë jashtë martese.
Gruaja kishte mbetur shtatzënë pas një lidhjeje të shkurtër me një burrë egjiptian, i cili më pas u largua nga vendi. Shtatzënia e saj u zbulua në gusht të vitit të kaluar, kur ajo nisi lindjen në ambientet ku qëndronin punonjësit, shkruan Metro, transmeton Klankosova.
Pas dërgimit në spital, ajo u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje. Në tetor, gjykata e shpalli fajtore për marrëdhënie seksuale jashtë martese dhe e dënoi me 100 goditje me kamxhik.
Që prej asaj kohe, Esther jeton mes frikës dhe pasigurisë për fatin e saj dhe të djalit. Ajo ka shprehur tmerrin nga dënimi i mundshëm, duke thënë se nuk beson se mund t’i përballojë 100 goditjet.
Rasti ka rikthyer në vëmendje kushtet dhe të drejtat e punëtoreve të huaja në Arabinë Saudite, veçanërisht grave që përballen me situata të vështira larg vendit të tyre.



