NASA ka hapur procesin e rekrutimit për gjeneratën e ardhshme të astronautëve, duke ftuar qytetarët amerikanë që të aplikojnë deri më 3 dhjetor, para mesnatës sipas kohës lindore të SHBA-së, për mundësinë që një ditë të jetojnë dhe punojnë në Hënë.
Sipas portalit zyrtar të aplikimit të agjencisë hapësinore, numri i vendeve të lira është i kufizuar. Paga vjetore për këtë pozitë është 164,395 dollarë, ndërsa kandidatët e përzgjedhur duhet të zhvendosen në Houston, ku do të punojnë në Qendrën Hapësinore Johnson.
Konkursi është i hapur për të gjithë qytetarët amerikanë që plotësojnë kriteret e përcaktuara arsimore dhe kanë përvojën e specializuar të kërkuar, transmeton Telegrafi.
Gjenerata e re e astronautëve po përzgjidhet në një kohë kur SHBA-ja synon të ndërtojë një bazë në Hënë dhe të realizojë misione me ekuipazh në sipërfaqen e saj.
Në prill, misioni Artemis II i NASA-s dërgoi katër astronautë përreth Hënës, duke vendosur rekord për distancën më të madhe që njerëzit kanë përshkuar ndonjëherë nga Toka.
“Personat që do të përzgjedhim mund të ecin në Hënë, të jetojnë dhe punojnë në bazën hënore, si dhe të ndihmojnë në zhvillimin e sistemeve dhe operacioneve që përfundimisht do t’i dërgojnë ekuipazhet drejt Marsit”, deklaroi administratori i NASA-s, Jared Isaacman.



