Gjithsej 1.026 magjistra dhe 39 doktorë shkencash janë të evidentuar si të papunë në Maqedoni, tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë për Punësim, deri më 31 gusht 2026, përcjell TV21. Sipas statistikave, nga numri i përgjithshëm i magjistrave të papunë, 639 janë burra dhe 387 gra. Ndër personat me titullin doktor shkencash që figurojnë si të papunë, 26 janë burra dhe 13 gra.
Në krahasim me muajin paraprak, është regjistruar një rënie e lehtë e numrit të personave me arsim të lartë që kërkojnë punë. Në korrik ishin evidentuar 1.068 magjistra të papunë dhe 40 doktorë shkencash. Kjo do të thotë se në gusht numri i magjistrave është zvogëluar për 42, ndërsa i doktorëve të shkencave për një person. Të dhënat tregojnë se edhe qytetarët me studime pasuniversitare dhe doktoraturë përballen me vështirësi në gjetjen e një vendi pune.
Ndërkohë, sipas Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç, në tremujorin e dytë të vitit 2026, ka qenë 24 për qind, ndërsa shkalla e përgjithshme e papunësisë në vend ka qenë 11,3 për qind. Duhet theksuar se shifrat e Agjencisë për Punësim u referohen personave të regjistruar zyrtarisht në evidencën e të papunëve dhe jo të gjithë personave me këtë nivel arsimimi që aktualisht nuk kanë një vend pune.



