“Rusia po e përdor OKB-në si platformë propagande”, BE-ja dhe Bosnjë-Hercegovina kundër rezolutës ruse

Zhurmë dhe reagime ka shkaktuar në Republikën Sërpska (RS) votimi i Bosnjë-Hercegovinës kundër rezolutës së paraqitur nga Rusia në Kombet e Bashkuara, me titull “Lufta kundër glorifikimit të nazizmit, neonazizmit dhe praktikave të tjera që nxisin format bashkëkohore të racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë dhe intolerancës së ndërlidhur”.

Bosnjë-Hercegovina iu bashkua vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në votimin kundër kësaj rezolute.

Për këtë çështje ka folur edhe ambasadori i Bosnjë-Hercegovinës në OKB, Zlatko Lagumxhia, i cili ka paraqitur fakte për të kundërshtuar pretendimet e ngritura në RS lidhur me votimin e Sarajevës.

Vendet anëtare të BE-së e kanë shpjeguar qëndrimin e tyre pas prezantimit të rezolutës nga Rusia dhe të një amendamenti nga Mbretëria e Bashkuar.

Sipas BE-së, arsyeja kryesore e mbështetjes së amendamentit britanik L.44 lidhet me instrumentalizimin e çështjeve të të drejtave të njeriut nga Rusia.

Në deklarimin e tyre, vendet e BE-së iu referuan raportit të profesoreshës E. Tendayi Achiume, ish-raportuese speciale, e cila kishte kritikuar atë që e cilësoi si “instrumentalizim të dukshëm të çështjeve serioze të të drejtave të njeriut”.

Në raportin e saj, ajo kishte theksuar se Federata Ruse është përpjekur ta arsyetojë pushtimin ushtarak dhe agresionin territorial ndaj Ukrainës me pretendimin se synon eliminimin e neonazizmit.

“Përdorimi i neonazizmit si pretekst për të justifikuar agresionin territorial minon rëndë përpjekjet e mirëfillta për të luftuar neonazizmin”, thuhet në pjesën e raportit të cituar nga amendamenti.

BE-ja theksoi se ekziston dallim ndërmjet luftës kundër nacionalizmit dhe mohimit të ekzistencës së një populli sovran, duke iu referuar qëndrimit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Sipas vendeve anëtare të BE-së, pretendimet për luftën kundër neonazizmit janë përdorur nga Moska si një nga arsyetimet për agresionin ndaj një shteti të pavarur dhe demokratik, sulmet ndaj civilëve dhe rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.

“Rusia, edhe këtë javë, kur nderohen veteranët, po përpiqet ta përdorë OKB-në – organizatën e themeluar për të na shpëtuar nga vuajtjet e papërshkrueshme – si platformë për propagandë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Vendet evropiane kanë kritikuar gjithashtu një dosje të shpërndarë së fundmi nga Rusia, e cila pretendohet se trajton gjendjen e të drejtave të njeriut në Ukrainë. Sipas tyre, akuzat e paraqitura në këtë dokument janë pjesë e një përpjekjeje për të larguar vëmendjen nga veprimet e Rusisë.

BE-ja e cilësoi këtë si një shembull të fundit të një serie akuzash dhe sulmesh ndaj presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, zyrtarëve të OKB-së dhe shteteve anëtare që kundërshtojnë retorikën ruse dhe mbrojnë të drejtën ndërkombëtare.

Megjithatë, vendet e BE-së theksuan se këto veprime nuk do t’i largojnë nga angazhimi për luftimin e ideologjive ekstremiste dhe totalitare, si dhe të formave bashkëkohore të racizmit, antisemitizmit, islamofobisë dhe intolerancës.

Në përfundim, BE-ja vlerësoi se rezoluta ruse, edhe pas ndryshimeve të propozuara, nuk kontribuon në këto përpjekje, por përkundrazi, mund t’i dëmtojë ato.

Për këtë arsye, vendet anëtare të BE-së u bënë thirrje shteteve të tjera që të votojnë kundër rezolutës. /Vijesti