Kapet një nga figurat më të kërkuara të mafies turke, ndaj tij ishin lëshuar 48 urdhër-arreste

Njëri nga drejtuesit e organizatës së armatosur kriminale “Barış Boyun” është arrestuar në Azerbajxhan.

Bëhet fjalë për Mehmet Recep Demir, ndaj të cilit janë lëshuar gjithsej 48 urdhër-arreste, raporton mediumi turk CNN Türk.

Sipas mediave turke, arrestimi i tij është kryer në kuadër të hetimeve që po zhvillon Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ndaj kësaj organizate kriminale, e dyshuar për veprimtari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Pas ndalimit, Demir është dërguar në paraburgim në Azerbajxhan, nën dyshimin për kalim të paligjshëm të kufirit, vepër penale e paraparë në legjislacionin e këtij shteti.

Ndërkohë, Prokuroria e Stambollit ka përgatitur kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij në Turqi, të cilën do t’ua përcjellë autoriteteve gjyqësore të Azerbajxhanit.