Skandali i spiunazhit që ka përfshirë gjigantin amerikan të teknologjisë Nvidia po shkakton pasoja edhe në administratën amerikane.
Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë po diskutojnë mundësinë e largimit nga detyra të sekretarit të Tregtisë, Howard Lutnick, mes kritikave për mënyrën se si administrata ka mbikëqyrur eksportet e teknologjisë së avancuar drejt Kinës.
Lajmi bëhet i ditur nga Reuters, duke iu referuar dy burimeve të njohura me diskutimet brenda administratës amerikane.
Një numër gjithnjë e më i madh ligjvënësish kanë kritikuar Lutnick për refuzimin e administratës për të përfshirë dhjetëra kompani kineze në listën e zezë tregtare të SHBA-së, si dhe për mungesën e kontrollit të mjaftueshëm mbi eksportet e mikroçipave të inteligjencës artificiale të Nvidia-s drejt Kinës.
Kritikat ndaj sekretarit të Tregtisë kishin nisur përpara dorëheqjes së ish-drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, i cili u largua nga drejtimi i kompanisë pas raportimeve për një marrëdhënie jashtëmartesore me Alice Huang, për të cilën autoritetet amerikane kanë ngritur dyshime për spiunazh në favor të Pekinit.
Megjithatë, presioni ndaj Lutnick është shtuar ndjeshëm pas zhvillimeve të fundit, veçanërisht për shkak të akuzave se ai nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për të kufizuar eksportet e teknologjisë së avancuar drejt Kinës.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Tregtisë nuk kanë dhënë menjëherë një koment për raportimin e Reuters. Më herët, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se presidenti Donald Trump vazhdon të ketë “besim të plotë” te sekretari Lutnick dhe aftësia e tij për të ushtruar detyrën.
Lutnick pritet të japë shpjegime
Senatori republikan John Kennedy, i pyetur nga CNN nëse Lutnick duhet të largohet nga detyra, u shpreh se ende nuk ka një qëndrim përfundimtar.
“Nuk e di ende”, deklaroi ai, duke kërkuar që sekretari i Tregtisë të dalë publikisht dhe t’u përgjigjet sa më shpejt pyetjeve të ngritura.
Kennedy paralajmëroi se çështja është jashtëzakonisht serioze dhe se Lutnick do të thirret për të dëshmuar përpara Kongresit.
Edhe senatorja demokrate Elizabeth Warren kërkoi llogaridhënie nga drejtuesit e Departamentit të Tregtisë.
“Sekretari Howard Lutnick dhe nënsekretari Jeffrey Kessler duhet të shpjegojnë pse nuk kanë mbyllur boshllëqet në kontrollet e eksporteve dhe të veprojnë menjëherë për të garantuar që teknologjia jonë e avancuar të mos përdoret për të fuqizuar ushtrinë kineze”, deklaroi Warren.
Kapet një nga figurat më të kërkuara të mafies turke, ndaj tij ishin lëshuar 48 urdhër-arreste
Read more



