Një përleshje fizike në një kazino në Tetovë ka përfunduar me dy persona të lënduar rëndë nga një mjet i mprehtë, ndërsa disa persona janë ndaluar nga policia.
Sipas njoftimit të SPB Tetovë, ngjarja është raportuar më 13 nëntor, në orën 01:45, pasi në Spitalin Klinik të Tetovës janë dërguar me lëndime të rënda J.R. (48) nga Bërvenica dhe S.T. (50) nga Saraqina.
Sipas raportimit, ata janë lënduar gjatë përpjekjes për të ndarë disa persona që ishin përfshirë në një përleshje fizike në kazino. Në konflikt dyshohet se ishin përfshirë V.A. (44) nga Xhepçishti, A.I. (33), S.I. (26) dhe Sh.S. (26) nga Treboshi.
Për shkak të seriozitetit të lëndimeve, J.R. është transferuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza” në Shkup, ndërsa S.T. ka mbetur për trajtim në Spitalin Klinik të Tetovës.
Policia ka arrestuar edhe F.H. (34) nga Treboshi, i punësuar në kazino, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „ndihmë” në lidhje me dhunën. Statusin e personit të privuar nga liria e ka edhe V.A., i cili për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është ndaluar nën mbikëqyrje policore në spital.
Ndërkohë, në orën 08:50, në Stacionin Policor të Tetovës janë paraqitur vetë edhe A.I., S.I. dhe Sh.S., të cilët janë ndaluar për procedurë të mëtejshme.
Policia bën të ditur se pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të pasojnë kallëzimet përkatëse.



