Trump fiton deri në 15 milionë dollarë nga aksionet e Nvidia-s, çfarë ndodhi pas rikthimit të Huang

Investimet e Donald Trump në kompaninë Nvidia mund t’i kenë sjellë presidentit amerikan deri në 15 milionë dollarë fitim brenda një dite, pasi aksionet e kompanisë u rritën ndjeshëm të hënën, pas lajmit të papritur për rikthimin e Jensen Huang në postin e drejtorit ekzekutiv.

Deklarimet financiare të Trumpit pranë Zyrës së Etikës Qeveritare në SHBA, ku më i fundit është dorëzuar më 5 nëntor, tregojnë se presidenti mund të ketë zotëruar deri në 370 mijë aksione të Nvidia-s më 30 shtator. Pas lajmit për rikthimin e Huang, vlera e aksioneve u rrit me më shumë se 30 për qind të hënën, duke shtuar ndjeshëm vlerën e investimit të Trumpit.

Megjithatë, shuma e saktë e fitimit nuk dihet, pasi dokumentet financiare nuk japin numrin e saktë të aksioneve të blera apo të shitura, por vetëm intervale të përafërta. Sipas përllogaritjeve, Trump mund të ketë pasur nga 32 mijë deri në 370 mijë aksione. Nëse zotëronte numrin më të ulët, ato do të kishin një vlerë prej rreth 5.3 milionë dollarësh dhe rritja e së hënës do t’i kishte sjellë një fitim prej 1.3 milionë dollarësh. Në skenarin më të favorshëm, fitimi mund të arrinte deri në 15 milionë dollarë.

Dokumentet e deklarimit financiar mbulojnë vetëm periudhën deri në fund të shtatorit dhe nuk përfshijnë blerjet apo shitjet e mundshme të aksioneve gjatë tetorit dhe nëntorit. Për këtë arsye, nuk dihet nëse Trump ka ndryshuar investimet e tij në Nvidia gjatë kësaj periudhe.

Vetë presidenti amerikan tha se kishte qenë i përfshirë në vendimin për rikthimin e Huang në krye të kompanisë. Në një intervistë për CNBC, Trump deklaroi se kishte komunikuar me palët e përfshira dhe kishte ndihmuar në arritjen e marrëveshjes. Edhe bordi drejtues i Nvidia-s konfirmoi se kishte marrë këshilla nga nivele të larta të qeverisë amerikane. Sipas kompanisë, pas këtij komunikimi, bordi ishte bindur se rikthimi i Huang nuk përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.

Pas njoftimit, Trump publikoi edhe një mesazh në rrjetet sociale, ku vlerësoi rëndësinë e drejtimit të Huang për kompaninë dhe ekonominë amerikane. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës për koment lidhur me rritjen e vlerës së investimeve të presidentit.

Rritja e aksioneve të Nvidia-s erdhi pas një periudhe të vështirë për kompaninë, pasi skandali që lidhej me Huang dhe shqetësimet për qëndrueshmërinë e bumit të inteligjencës artificiale kishin ndikuar negativisht në vlerën e aksioneve. Sipas përllogaritjeve, nëse Trump do të kishte zotëruar numrin maksimal të aksioneve, ai do të kishte humbur rreth 42 milionë dollarë nga vlera e investimit të tij, krahasuar me kulmin e mëparshëm, përpara rritjes së së hënës.

Portofoli i investimeve të Trumpit ndjek një strategji që synon të përfshijë aksione nga kompani të ndryshme të indeksit S&P 500, ku Nvidia renditet ndër shoqëritë me peshën më të madhe.

Zhvillimi ka nxitur edhe reagime politike. Senatori demokrat i Arizonës, Ruben Gallego, kërkoi hetimin e pozicioneve të aksioneve përpara njoftimit për rikthimin e Huang, duke ngritur dyshime për mundësinë e transaksioneve të kryera përpara publikimit të lajmit. Ai e cilësoi administratën Trump si më të korruptuarën në histori.