Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për përdorim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të antibiotikëve, në kuadër të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike.
Përmes një njoftimi të publikuar në Facebook, IKShPK ka rikujtuar se antibiotikët nuk janë zgjidhje për çdo sëmundje dhe se përdorimi i tyre pa nevojë mund të kontribuojë në zhvillimin e rezistencës antimikrobike.
Instituti u bën thirrje qytetarëve që të mos përdorin antibiotikë për ftohje, grip apo dhimbje fyti me origjinë virale. Po ashtu, këshillon që antibiotikët të mos ndahen me persona të tjerë dhe mbetjet e tyre të mos ruhen për përdorim të mëvonshëm.
Sipas IKShPK-së, antibiotikët duhet të përdoren vetëm me këshillën e profesionistëve shëndetësorë dhe në përputhje me udhëzimet e tyre.
“Përdorimi i përgjegjshëm i antibiotikëve sot, mbron shëndetin e të gjithëve nesër”, thuhet në apelin e institutit.
IKShPK rikujton se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve nuk ndihmon në trajtimin e infeksioneve virale, ndërsa mund të rrisë rrezikun që bakteret të bëhen rezistente ndaj barnave.
Nga 1 dhjetori, kontrolle dhe kritere të reja për pushimin mjekësor!


