Ndryshimet ligjore për shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike, së bashku me propozim-ligjin për ndryshime në Ligjin për deputetët — ku parashikohet që deputetët të kenë vetëm një shtetësi — janë në rend dite në seancën e 98-të plenare të Kuvendit.
Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është eliminimi i plotë i modelit të qeverisë së përkohshme, i cili u vendos si një zgjidhje kalimtare për tejkalimin e krizës politike në vitin 2015.
Sipas Zëvendësministrit të Administratës Publike, Laze Jaqimoski, ky model tashmë e ka humbur funksionin e tij fillestar.
“Ndryshimet synojnë krijimin e një kornize të qëndrueshme ligjore, e cila do të sigurojë organizimin e zgjedhjeve të ndershme përmes institucioneve të rregullta, duke ulur kostot për financat publike dhe duke forcuar legjitimitetin demokratik të pushtetit ekzekutiv”, deklaroi ai.
Ai shtoi se ligji i ri synon të heqë zgjidhjet e përkohshme të vendosura përmes marrëveshjeve politike në të kaluarën dhe të krijojë kushte për një stabilitet më të madh institucional.
“Në thelb, synimi është të kemi një qeveri me legjitimitet të plotë, e cila do të jetë përgjegjëse për zbatimin e proceseve zgjedhore”, theksoi Jaqimoski.

