Taravari kërkon të hiqet termi “terroristët shqiptarë” nga pllaka për të rënët në Vejcë

Kanë vazhduar edhe sot reagimet pasi një ditë më parë ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski vendosi lule pranë një memoriali, në tabelën e të cilit shkruhej “Ranë në luftë kundër terroristëve shqiptarë më 28.04.2001 në rajonin e fshatit Vejcë”.

Për këtë ka reaguar sot kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari.

“Kur një ministër i një shteti multietnik jo një individ privat, vendos lule dhe bën homazhe në një pllakatë përkujtimore ku shihet qartë termi ‘terroristë shqiptarë’, ai me këtë fyen bashkëqytetarët e tij me identifikimin e përkatësisë etnike si një karakteristikë kriminale. Kjo sipas çdo standardi ndërkombëtar është gjuhë shoviniste dhe diskriminuese e cila duhet të ndëshkohet”- thotë Travari . Ai kërkon që ministri të japë shpjegime publike dhe të ndërhyjë në bazë të kompetencave që ka për të ndryshuar këtë gjuhë të urrejtjes në atë pllakatë që vazhdon të qëndrojë në Kazermën Ilinden e cila me termin “Terroristë Shqiptarë” sepse siç thotë fyen shqiptarët, Marrëveshjen e Ohrit, e cila është dëshmia më e fortë se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë luftëtarë lirie dhe jo si i përshkruan ato kjo pllakatë.

Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Vllado Misajlovski, ka zhvilluar një ceremoni përkujtimore përpara memorialit të Batalionit të Forcave Speciale në kazermën e Ilindenit, në nderim të katër pjesëtarëve të ushtrisë së vrarë në Vejcë në vitin 2001. Ministri kreu nderime para pllakës, e cila shqiptarët e përfshirë në konfliktin e 25 viteve më parë, i etiketon si “terroristë”.

“Sot, me respekt të thellë, kujtojmë heronjtë që dhanë më të çmuarën për Maqedoninë”, shkroi Misajllovski në facebook, duke ndarë fotografinë e pllakës.

By admin1