Serwer: Mendoja se Osmani ishte një presidente e mirë, por duket që thyerja me Kurtin ishte e pakapërcyeshme

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme në javën e fundit të majit apo në javën e parë të qershorit, pasi partitë politike s’kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët sa i përket asaj se kush duhet të jetë president i vendit. Kreu i LVV’së, Albin Kurti, s’kishte pranuar që të përkrahte Vjosa Osmanin edhe për një mandat të dytë, duke provuar që të gjente një zgjidhje tjetër përmes negociatave me partitë opozitare, shkruan Gazeta Express.

Besnik Velija

Profesori amerikan i Johns Hopkins University, Daniel Serwer, i cili përcjell aktivisht zhvillimet politike në Kosovë, në një përgjigje për Gazetëm Express ka thënë se Vjosa Osmani do të ishte një presidente e mirë, megjithatë sipas tij, duket se përçarja mes saj me liderin e VV’së Albin Kurtin ka qenë e pakapërcyeshme.

“Mendova se Vjosa Osmani ishte një presidente e mirë. Por përçarja midis saj dhe Kryeministrit duket se ka qenë e pakapërcyeshme. Nga do të kishin ardhur votat për një mandat të dytë?”, thotë Serëer.

Sa i përket negociatave për president të bëra mes partive politike dhe asaj nëse Kurti do të duhej të lëshonte pe për pozitën e presidentit, Serwer thotë se kjo është një çështje për Kurtin dhe shton se kur e ke shumicën është shumë e vështirë ta ndashë pushtetin.

“Ky është një vendim për Kryeministrin, jo për mua. Ndarja e pushtetit kur ke shumicën nuk është e lehtë”, ka thënë Serwer.

Në fund, profesori amerikan thotë se zgjedhjet e treta brenda në më pak se dy vite i duken të tepërta dhe tregojnë që ka mungesë fleksibiliteti në të gjitha anët.

“Gjëja e rëndësishme është të ruhen institucionet dhe të vazhdohet në një mënyrë të saktë ligjërisht. Më duket se kjo po ndodh.Imazhi i Kosovës do të dëmtohet pak, por kjo riparohet lehtësisht sapo të zgjidhet nyja politike”, ka thënë Serwer./GazetaExpress/

By admin2