“Kanë granatu mbi shtëpia e kanë masakru njerëz”, ish-ushtari i UÇK-së rrëfen masakrën në Drenicë
Rreth 300 civilë shqiptarë u vranë në masakrat e kryera nga forcat serbe në disa fshatra të rajonit të Drenicës gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Kastrati nga fshati Vërboc, raporton Ekonomia Online.
Ai kujtoi se forcat serbe kishin hyrë në fshatra në orët e hershme të mëngjesit, duke tubuar civilët dhe duke i kërcënuar me ekzekutim në rast të reagimit nga pjesëtarët e UÇK-së.
“Ne kemi qëndru në mal, natyrisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qëndru në mal. I kemi parë që nëpër një livadhe, nëpër fusha i kanë tubuar gratë e fëmijët. Edhe ju kanë kërcënuar që nëse një pushkë kërset prej pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do t’i masakrojnë të gjithë”, tha ai.
Sipas tij, pas kësaj, forcat serbe kanë granatuar shtëpitë dhe kanë vrarë civilë në disa fshatra të Drenicës.
“E pastaj forcat e ndryshme kanë granatu mbi shtëpia, me të gjitha forcat që kanë pasë. Kanë vra njerëz, kanë masakru njerëz”, tha ai.
Kastrati tha se viktimat ishin nga disa fshatra të rajonit dhe se në varrezat e zonës prehen civilë nga të dy komunat, Drenasi dhe Skenderaj.
“Ka qenë një numër i madh, disa herë e kemi përmend, për afër 300 vetë janë vrarë në këto fshatra. Jo vetëm në Verboc, Shtuticë, Qirez, Baks, Dashevc e fshatra përreth, këtu ka të varrosur pothuajse prej të gjitha fshatrave të, të dy komunave, Drenas edhe Skenderaj”, tha ai.

