Nga LSDM-ja, përmes një komunikate, akuzojnë se kryeministri Hristijan Mickoski tashmë po përgatitet për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, duke theksuar se Komisioni i Përbashkët Historik mes Maqedonisë dhe Bullgarisë punon në vazhdimësi, pa u komunikuar kjo në mënyrë transparente para opinionit.
Reagimi vjen pasi zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Dimitrovski, në një paraqitje televizive deklaroi se komisioni mban rregullisht takime. Nga LSDM-ja pyesin pse këto aktivitete nuk komunikohen publikisht dhe çfarë saktësisht po dakordohet në ato takime.
Sipas partisë opozitare, çështja më e rëndësishme për përparimin drejt Bashkimit Evropian mbetet përfshirja e pakicave në Kushtetutë, përfshirë edhe bullgarët, gjë që, siç thonë, është kusht i qartë nga institucionet evropiane.
Nga LSDM-ja theksojnë se deklaratat e Mickoskit për një përparim të mundshëm në reformat deri në qershor, në kombinim me aktivitetet e Komisionit Historik, tregojnë se Qeveria po përgatit hapa të cilët deri më tani publikisht i ka mohuar.
Në komunikatë rikujtohen edhe qëndrimet e mëparshme të kryeministrit në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, ndryshimet kushtetuese dhe marrëdhëniet me Bullgarinë, duke pretenduar se zhvillimet aktuale janë në kundërshtim me deklaratat e tij të mëparshme.
LSDM-ja përsërit se mbetet në qëndrimin se përfshirja e pakicave në Kushtetutë është hap i domosdoshëm për vazhdimin e rrugës evropiane të shtetit.

