Ish-deputeti dhe gazetari Philip Petrovski ka rikthyer në vëmendje zhvillimet gjatë konfliktit të vitit 2001, duke theksuar rolin e ndihmës ushtarake nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut.
Në një paraqitje në podcast “koridor 8”, Petrovski deklaroi se opinioni publik shpesh anashkalon faktet që lidhen me mbështetjen ushtarake në atë periudhë kritike.
“Për shembull, nuk përmendet që Bullgaria na dhuroi 80 tanke. Gjatë luftës në vitin 2001, kur kërkuam armatim, ai u soll në mënyrë sekrete nëpërmjet konvojeve drejt Strumicës”, tha Petrovski.
Sipas tij, këto mjete luftarake patën ndikim vendimtar në terren dhe ndihmuan në ndalimin e përparimit të forcave të UÇK-së drejt kryeqytetit.
“Nëse nuk do t’i kishim ato tanke, UÇK-ja ndoshta do të kishte arritur deri në Shkup, përmes Haraçinës, deri në qendër. Prania e tankeve ndikoi që forcat të tërhiqeshin gjatë operacioneve të ushtrisë”, u shpreh ai.
Petrovski gjithashtu kritikoi qasjen selektive në interpretimin e historisë, duke kërkuar që të përmenden edhe aspektet pozitive të bashkëpunimit ndërkombëtar gjatë konfliktit.

