Afera me Miliona Euro! MPB, MPJ dhe Komuna e Çairit në qendër të dyshimeve për tenderë të kontestuar?!

Qendra për Komunikime Qytetare ka publikuar hulumtimin “Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike: Studime rasti”, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën se si janë realizuar disa tenderë nga institucione shtetërore dhe lokale në Maqedoninë e Veriut.

Sipas hulumtimit, në fokus janë tri raste që lidhen me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe Komunën e Çairit, ku janë evidentuar mungesë transparence, procedura pa konkurrencë reale, pagesa të dyshimta dhe kontrata të fshehta.

Rasti më i ndjeshëm ka të bëjë me përpunimin e pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve. Gjatë pesë viteve të fundit, MPB ka shpenzuar rreth 29 milionë euro për këtë shërbim, ndërsa qytetarët kanë paguar plot 73 milionë euro për pajisjen me dokumente personale. Hulumtimi zbulon se dokumentet përpunohen nga e njëjta kompani që fitoi tenderin para 21 vitesh, ndërsa kontratat aktuale dhe detajet e tyre mbahen të klasifikuara si “konfidenciale”.

Një tjetër rast lidhet me fluturimet e evakuimit nga Dubai dhe Rijadi në mars të vitit 2026. Sipas gjetjeve, pagesat janë kryer paraprakisht dhe pa garanci bankare, ndonëse ligji parashikon kufizime të qarta për avanset. Po ashtu, pas anulimit të tenderit të parë, në procedurën e dytë ftesa për ofertë i është dërguar vetëm një kompanie, duke ngritur dyshime për mungesë të konkurrencës së barabartë.

Në qendër të kritikave është edhe Komuna e Çairit për projektin e ndërtimit të pishinës së mbyllur në shkollën “Ismail Qemali”. Edhe pse komuna raportoi se kontrata ishte realizuar 100 për qind, raportet e mbikëqyrjes evidentonin ende punë të papërfunduara dhe nevojën për lidhje me rrjetin elektrik dhe ujësjellësin. Afatet e realizimit janë shtyrë disa herë, ndërsa penalitetet kontraktuale nuk janë aktivizuar.

Hulumtimi vlerëson se këto raste ngrenë pikëpyetje të rëndësishme mbi transparencën, konkurrencën dhe menaxhimin e fondeve publike, duke kërkuar kontroll më të madh institucional dhe llogaridhënie për shpenzimin e parave të qytetarëve.

Për ta lexuar të plotë hulumtimin, mund të qaseni në këtë link.

Јавен надзор над јавните набавки: доверливи договори, незаконски авансни плаќања и спорна реализација

By admin