Shkruan: Nefail Emini
Ballkani ka qenë historikisht një hapësirë ndërmjetëse mes Lindjes dhe Perëndimit, duke shërbyer si korridor i ndërveprimeve ushtarake, ekonomike dhe kulturore. Që nga ekspeditat e Aleksandrit të Madh drejt Indisë, deri te marrshimi i Perandorisë Osmane në drejtim të Evropës, ky rajon ka qenë vazhdimisht një territor tranziti dhe përplasjeje interesash. Në kontekstin bashkëkohor, kjo logjikë historike po rikonfigurohet përmes dimensionit energjetik, ku Ballkani po shndërrohet në një nyje kyçe të infrastrukturës së transportit të gazit dhe naftës drejt tregjeve evropiane.
Zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, të shoqëruara me pasiguri në rrugët detare të furnizimit energjetik pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, kanë rritur ndjeshëm rëndësinë e korridoreve tokësore. Në këtë kuadër, Ballkani po fiton një rol të ri strategjik si hapësirë tranziti për burimet energjetike që vijnë nga Rusia dhe Azia Qendrore. Ky transformim nuk është thjesht ekonomik, por thellësisht gjeopolitik, pasi e vendos rajonin në qendër të rivaliteteve ndërkombëtare për kontrollin dhe diversifikimin e burimeve energjetike.
Tubacionet të cilët kalojnë nëpër Ballkan
Ndër projektet më të rëndësishme që ilustrojnë këtë dinamikë është gazsjellësi TurkStream, i cili transporton gaz natyror nga Rusia drejt Turqisë dhe më tej në Evropën Juglindore dhe Qendrore me kapacitet prej 31,5 miliard metër kub gaz natyror. Ky projekt përfaqëson vazhdimësinë e strategjisë ruse për të ruajtur ndikimin në tregjet evropiane të energjisë, duke anashkaluar korridoret tradicionale të tranzitit dhe duke krijuar varësi të reja infrastrukturore.
Në të njëjtën kohë, projekte si Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) përfaqësojnë përpjekjet e Bashkimit Evropian për të diversifikuar burimet e furnizimit dhe për të reduktuar varësinë nga gazi rus, me kapacitet fillestar prej 10 miliard metër kub dhe synim për 20 miliard metër kub në vit. Duke sjellë gaz nga Azerbajxhani drejt Evropës përmes Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë. TAP është një komponent thelbësor i Korridorit Jugor të Gazit dhe një instrument strategjik në politikën energjetike të BE-së.
Projekte të tjera, si Korridori Vertikal i Gazit, Naftësjellësi Adria, EastMed dhe Gazsjellësi Jon-Adriatik (IAP), dëshmojnë për një përpjekje më të gjerë për të krijuar një rrjet alternativ dhe të ndërthurur furnizimi, i cili synon të rrisë fleksibilitetin dhe sigurinë energjetike në Evropë. Këto zhvillime tregojnë se infrastruktura energjetike nuk është më vetëm çështje ekonomike, por një element thelbësor i sigurisë kombëtare dhe rajonale.
Energjia që ndan rajonin: projekti EastMed dhe tensionet në rritje
Synimi për t’u shndërruar në një nyje të rëndësishme në shpërndarjen e burimeve energjetike është kthyer në një faktor të rëndësishëm të përplasjeve gjeopolitike mes shteteve të rajonit. Një shembull ilustrues i kësaj dinamike është projekti i gazsjellësit EastMed, i cili synon të transportojë gaz natyror nga fushat Levantine të Izraelit drejt Greqisë dhe Italisë, e më pas në tregjet evropiane.
Ky projekt ka gëzuar mbështetje të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian dhe fillimisht edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat më vonë u tërhoqën nga përkrahja e tij. Realizimi i këtij projekti do ta shndërronte Greqinë në një nyje kyçe të shpërndarjes së energjisë, duke i siguruar asaj përfitime të rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike.
Megjithatë, projekti kundërshtohet fuqishëm nga Turqia, pasi ai anashkalon territorin e saj dhe njëkohësisht cenon pozitën e saj si një shtet tranzit i rëndësishëm për furnizimin energjetik drejt Bashkimit Evropian. Si pasojë, kjo situatë ka kontribuar në rritjen e tensioneve mes dy vendeve, duke reflektuar më gjerë në rritjen e pasigurisë dhe shqetësimeve në rajonin e Ballkanit.
Kundërshtimet mes vendeve të Ballkanit nuk lidhen vetëm me tubacionin EastMed, por edhe projektet e reja po kundërshtohen nga Serbia, e cila ka qenë vazhdimisht në qendër të të gjithë strategjive të Rusisë për ta shëndrruar Beogradin në “Shtet Nyje” në shpërndarjen e burimeve të saj energjetike. Projektet e reja e shmangin atë ose ajo ka një rol tejet periferik, e cila po shkakton shqetësim të madh gjeopolitik në Beograd, pasi si Moska ajo i ka përdorur burimet energjetike si mjet presioni dhe ndikimi në Ballakn.
Nga mundësi në rrezik: Ballkani në qendër të rivalitetit energjetik global
Rritja e rëndësisë strategjike të Ballkanit shoqërohet njëkohësisht me rreziqe të konsiderueshme. Rajoni vazhdon të karakterizohet nga brishtësi politike, ndarje etnike dhe institucione shpesh të dobëta, çka e bën atë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme. Në këtë kontekst, përfshirja e fuqive të mëdha si Rusia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijon një mjedis kompleks rivaliteti, ku energjia shndërrohet në një instrument të rëndësishëm ndikimi politik dhe ekonomik.
Historikisht, Rusia i ka përdorur burimet energjetike si mjet presioni dhe ndikimi ndaj vendeve të varura nga furnizimi me gaz, si dhe ndaj atyre nëpër territorin e të cilave kalojnë tubacionet e saj. Megjithatë, zhvillimet e fundit në rajon tregojnë një prirje të qartë drejt diversifikimit të burimeve energjetike. Me përjashtim të projektit TurkStream, shumica e tubacioneve ekzistuese dhe atyre të planifikuara synojnë të transportojnë gaz jo rus, duke reduktuar kështu varësinë tradicionale nga Moska.
Kjo tendencë ka rritur ndjeshëm shqetësimin në Kremlin për humbjet e mundshme ekonomike dhe gjeopolitike, si në nivel rajonal ashtu edhe kontinental. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar mbështetjen për projekte alternative, me synimin për të krijuar një sistem më të qëndrueshëm dhe të diversifikuar furnizimi me energji. Nga perspektiva ruse, këto përpjekje përbëjnë një sfidë të drejtpërdrejtë strategjike, duke e shtyrë atë të kundërshtojë dhe të përpiqet të pengojë zhvillimin e tyre.
Kompleksiteti i situatës thellohet më tej në dritën e politikave të Bashkimit Evropian, i cili ka vendosur si objektiv reduktimin drastik, deri në eliminim, të importeve energjetike nga Rusia deri në vitin 2027, si reagim ndaj zhvillimeve gjeopolitike në Ukrainë. Këto përpjekje mbështeten fuqishëm edhe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat synojnë të dobësojnë varësinë energjetike të Evropës nga Rusia një varësi që ka marrë dimensione jo vetëm ekonomike, por edhe politike.
Në këtë kuadër, Rusia përpiqet të pengojë procesin e diversifikimit dhe të ruajë pozicionin e saj në tregun energjetik evropian. Si pasojë, rivaliteti mes këtyre fuqive pritet të intensifikohet dhe të zhvendoset gjithnjë e më shumë në Ballkan, i cili përfaqëson një nga korridoret më të rëndësishme dhe më të favorshme për furnizimin e Evropës me burime alternative energjetike. Nëse BE dhe SHBA, do të trimfuojnë me këto projekte, atëherë kjo do të ishte ndoshta një nga goditjet më të mëdha gjeopolitike që ka përjetuar Moska në dekadat e fundit.

