Nga: NEFAIL EMINI
Mesdheu Lindor si nyje e re gjeopolitike globale: energjia, kufijtë detarë dhe aleancat
Mesdheu Lindor po shndërrohet në një nga arenat më të rëndësishme të rivaliteteve gjeopolitike në sistemin ndërkombëtar. Përplasjet nuk kufizohen vetëm ndërmjet shteteve të rajonit, por në dinamikat e tij janë përfshirë edhe fuqi globale, të cilat kanë interesa strategjike, ekonomike dhe ushtarake në këtë hapësirë. Si pasojë, ekuilibri i sigurisë dhe stabiliteti rajonal po bëhen gjithnjë e më të brishtë.
Historikisht, Mesdheu Lindor është karakterizuar nga paqëndrueshmëria politike dhe rivalitetet e vazhdueshme ndërmjet aktorëve rajonalë. Megjithatë, gjatë dekadës së fundit, këto tensione janë intensifikuar ndjeshëm si rezultat i zbulimit të rezervave të konsiderueshme të gazit natyror dhe naftës në nëntokën e rajonit. Kështu, përveç pozitës së tij gjeografike jashtëzakonisht strategjike, energjia është shndërruar në një faktor përcaktues të raportit të fuqisë dhe të interesave kundërthënëse në Mesdheun Lindor.
Në këtë kontekst, shtrohet pyetja nëse dinamika aktuale gjeopolitike e rajonit mund të prodhojë kriza të reja dhe të përshkallëzojë përplasjet ndërmjet aktorëve rajonalë dhe fuqive globale.
Gjeografia e Mesdheut Lindor
Mesdheu Lindor përbën një nga hapësirat më të rëndësishme gjeostrategjike në botë. Rëndësia e tij buron nga pozita gjeografike, e cila historikisht ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Po ashtu, ky rajon lidhet ngushtë me lindjen e tri feve të mëdha monoteiste, duke bërë që gjeografia të ndërthuret me dimensionin fetar dhe civilizues, gjë që i jep një peshë të veçantë historike dhe kulturore.
Mesdheu Lindor është një nyje lidhëse ndërmjet tre kontinenteve Evropës, Azisë dhe Afrikës duke e shndërruar atë në një hapësirë me rëndësi të madhe strategjike për aktorët që synojnë të ndikojnë në zhvillimet globale. Rëndësia e tij u rrit ndjeshëm pas hapjes së Kanalit të Suezit në vitin 1869, i cili shkurtoi rrugën detare ndërmjet Evropës dhe Azisë me rreth 9,000 kilometra, duke transformuar rrjedhat globale të tregtisë.
Një tjetër faktor vendimtar ka qenë zbulimi dhe shfrytëzimi i burimeve të naftës në Lindjen e Mesme, nëntoka e së cilës përmban 50 % të naftës së zbuliar dhe rreth 45 % të gazit natyror, i cili e rriti edhe më tej rëndësinë strategjike të rajonit. Kombinimi i pozitës gjeografike dhe burimeve energjetike e ka shndërruar Mesdheun Lindor në një hapësirë me rëndësi të jashtëzakonshme për fuqitë globale, duke nxitur rivalitete të vazhdueshme për kontrollin e ndikimit politik, ekonomik dhe strategjik.
Zbulimi i burimeve energjetike në Mesdheun Lindor
Për një kohë të gjatë është supozuar se nëntoka e Mesdheut Lindor përmban rezerva të mëdha të hidrokarbureve. Kërkimet filluan në vitet 1960, por rezultatet konkrete u materializuan vetëm në dekadat e fundit.
Në fillim të shekullit XXI, u vlersua se Pellgu i Levantit përmban rreth 10.8 trilion metër kub gaz natyror apo 5 % të totalit botëror dhe midis 1.5 dhe 3 miliardë fuçi naftëapo 1 % të totalit botëror, duke e konfirmuar potencialin e lartë energjetik të rajonit.
Në vitin 2009, Izraeli njoftoi zbulimin e fushës Tamar, me rreth 280 miliardë metra kub gaz natyror. Ky zbulim shënoi një ndryshim të rëndësishëm në balancën energjetike të rajonit. Një vit më vonë u zbulua fusha Leviathan, me rreth 600 miliardë metra kub gaz natyror, duke forcuar më tej rolin energjetik të Izraelit.
Në vitin 2011, Qipro njoftoi zbulimin e fushës Aphrodite, me rreth 130 miliardë metra kub gaz natyror, ndërsa në vitin 2015 Egjipti zbuloi fushën Zohr, një nga më të mëdhatë në rajon, me rreth 850 miliardë metra kub gaz natyror.
Këto zbulime e kanë shndërruar Mesdheun Lindor në një nga qendrat më të rëndësishme energjetike në botë, duke rritur njëkohësisht konkurrencën dhe rivalitetin ndërmjet shteteve për kontrollin dhe shfrytëzimin e këtyre burimeve.
Kufijtë detarë në Mesdheun Lindor
Një nga çështjet më të ndjeshme në rajon është përcaktimi i kufijve detarë dhe zonave ekonomike ekskluzive. Kjo problematikë ka krijuar tensione të vazhdueshme, veçanërisht ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, për shkak të interpretimit të ndryshëm të së drejtës ndërkombëtare detare.
Greqia mbështet të drejtën për zgjerimin e ujërave territoriale deri në 12 milje detare, në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS III), ndërsa Turqia e kundërshton këtë zgjerim, duke argumentuar se gjeografia e Detit Egje nuk e lejon një zbatim të tillë pa krijuar pasoja të mëdha strategjike.
Në kushtet aktuale, me një kufi prej 6 miljesh detare, pjesa e Detit Egje është e ndarë ndërmjet Turqisë, Greqisë dhe ujërave ndërkombëtare. Një zgjerim në 12 milje do të ndryshonte ndjeshëm këtë ekuilibër, duke rritur ndjeshëm zonën detare të Greqisë dhe duke reduktuar hapësirat ndërkombëtare të lundrimit, gjë që Ankaraja e konsideron të papranueshme. Sipas Status Quo që mbizotëron në me zgjerim 6 milje detare, që mbështete nga Turqia, por që kontestohet nga Greqia, 8.8 % të Detit Egje i përket Ankarasë, 35 % Athinës dhe 56.2 % është det i hapur, pra ujëra ndërkombëtare që nuk i përket asnjërit prej shteteve, Në rast se bëhet zgjerimi me 12 milje detar siç kërkon Greqia, atëherë ujërat territoriale të saj do të zgjerohen në 63.9 %, Turqia do të merrte 10 %, ndërsa ujëra ndërkombëtare do të mbeteshin vetëm 26 %, pra ky zgjerim Egjeun do ta kthente në det të brendshëm të Athinës.
Një tjetër aspekt lidhet me Zonat Ekonomike Ekskluzive (ZEE), të cilat mund të shtrihen deri në 200 milje detare. Në këtë kontekst, ishujt e vegjël si Kastellorizo kanë rëndësi të veçantë strategjike, pasi ndikojnë ndjeshëm në përcaktimin e kufijve detarë dhe ndarjen e burimeve energjetike në rajon, ku Athina kërkon që ajo të ketë një zgjerim me 200 milje, por që kjo kundërshtoht fuqishëm nga Turqia, pasi do ta kufizonte shumë zgjerimin e saj në Mesdheun Lindor. Gjithashtu kontest të paszgjidhura kuftare ka mes Turqisë dhe Qipros, Libanit dhe Sirisë, Greqisë dhe Libisë. Ajo që e komplikon edhe më shumë zgjidhjen e tyre është edhe fakti se disa pretendime janë të mbivendosura ndaj njëra-tjetrës.
Aleanca energjetike
Në dhjetor të vitit 2017, Izraeli, Greqia, Qipro dhe Italia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për studimin e ndërtimit të një gazsjellësi që do të transportonte gaz nga fusha Leviathan drejt tregjeve evropiane. Ky projekt, i njohur si EastMed Pipeline, u vlerësua fillimisht si teknikisht i realizueshëm dhe ekonomikisht i mundshëm.
Gazsjellësi, me gjatësi rreth 1,900 kilometra me kapacitet 10 miliard metër kub gaz natyror, synon të lidhë burimet e gazit të Mesdheut Lindor me Bashkimin Evropian, duke anashkaluar Turqinë. Kjo ka krijuar tensione gjeopolitike, pasi projekti shihet si një riorganizim i rëndësishëm i rrjedhave energjetike në rajon. Ky projekt është pezulluar aktualisht dhe kjo përbën një fitore të jashtëzakonshme gjeopolitike për Ankaranë.
Dimensioni ushtarak dhe gjeopolitik
Këto zhvillime energjetike janë shoqëruar edhe me afrim ushtarak ndërmjet Izraelit, Greqisë dhe Qipros, i cili synon forcimin e bashkëpunimit strategjik në rajon. Në të njëjtën kohë, Turqia ka ndjekur politika alternative bashkëpunimi me aktorë të tjerë rajonalë, duke krijuar ekuilibra të rinj të konkurrencës gjeopolitike me Libin dhe pas rënies së Bashar al-Assad është afruar shumë me Sirinë.
Po ashtu, janë krijuar edhe partneritete të tjera dypalëshe dhe shumëpalëshe ndërmjet shteteve evropiane dhe atyre të rajonit, të cilat synojnë forcimin e sigurisë dhe stabilitetit, por edhe mbrojtjen e interesave energjetike. Në prill 2026, Franca dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme të quajtur “Partneriteti Strategjik Gjithëpërfshirës i Përmirësuar”. E njohur edhe si “Aleanca Greqi–Francë 2.0”, kjo marrëveshje rinovon dhe e shndërron në të përhershme marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 2021. Në thelb të saj qëndron një klauzolë e fortë e mbrojtjes së ndërsjellë: në rast se njëra prej palëve sulmohet nga një shtet i tretë, pala tjetër angazhohet të ofrojë mbështetje dhe ndihmë ushtarake. Gjithashtu Franca dhe Qiproja do të nënshkruajnë pakt mbrojtës për vendosjen e trupave franceze në ishull.
Duke marrë parasysh interesat e kundërta të aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, Mesdheu Lindor paraqitet si një nga zonat më të ndjeshme dhe më dinamike të gjeopolitikës bashkëkohore. Kombinimi i pozitës strategjike, burimeve energjetike dhe rivaliteteve politike sugjeron se rajoni do të mbetet një hapësirë e konkurrencës së fortë gjeopolitike edhe në të ardhmen.

