Ilir Muharremi, kritik i artit
Në hyrje të Institutit të Artit Bashkëkohor ARKIV, koha duket sikur ecën me ritëm tjetër. Ish-shkolla “Vaso Pash Shkodrani”, e transformuar në një hapësirë arti nga Sislej Xhafa në vitin 2018, ruan ende frymën e dikurshme të mësimit, heshtjen e korridoreve dhe kujtesën e klasave që dikur mbusheshin me zërat e nxënësve.

Dyert e hapura të klasave krijojnë ndjesinë e një ecjeje ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, disa dhoma janë të mbushura me vepra artistike, ndërsa të tjerat kanë mbetur pothuajse të zbrazëta, si fragmente kujtese që refuzojnë të zhduken plotësisht. Pikërisht kjo gjendje e ndërmjetme mes braktisjes dhe rigjallërimit prodhon një nostalgji të heshtur, ku arkitektura e shkollës shndërrohet në pjesë të vetë përvojës estetike. Në këtë ambient me ngarkesë të fortë emocionale dhe simbolike, artistja Rina Krasniqi u prezantua me ekspozitën personale “Aty ku ra drita”, kuruar nga artisti Leon Emra. Ekspozita ndërtohet mbi idenë se historitë transformohen sa herë që rrëfehen, duke humbur ose fituar shtresa të reja kuptimore.

Reklame

Krasniqi nuk kërkon të dokumentojë kujtesën në mënyrë lineare, ajo merret me ato pjesë të saj që zakonisht mbeten jashtë narrativave të mëdha, gjestet e vogla, përjetimet kalimtare dhe momentet që nuk ruhen në historinë kolektive, por që në heshtje e formësojnë atë. Veprat e saj komunikojnë me vetë strukturën e ish-shkollës. Drita që depërton nëpër klasat e vjetra, reflektimet e zbehta në mure dhe prania e elementeve natyrore krijojnë ndjesinë e një kujtese të fragmentuar. Në këtë ekspozitë, drita nuk është vetëm element vizual, por një metaforë e kohës dhe e mbijetesës së kujtesës. Ajo shfaqet si një prani e qetë, por e vazhdueshme, që reziston përballë ndryshimit dhe harresës.


Krasniqi ndërton një raport subtil mes hapësirës dhe kujtesës emocionale. Veprat nuk imponohen mbi ambientin, por bashkëjetojnë me të, duke e bërë vetë ndërtesën pjesë të narracionit artistik. Përmes kësaj qasjeje, “Aty ku ra drita” arrin të krijojë një atmosferë meditimi, ku shikuesi nuk përballet vetëm me objektin artistik, por edhe me përvojën personale të kujtesës, mungesës dhe kalueshmërisë së kohës. Veprat e Rina Krasniqit ngjajnë si fragmente kujtese që kanë mbetur pezull mes ëndrrës dhe reales.

Ato nuk kërkojnë ta pushtojnë hapësirën me zë të lartë, përkundrazi, hyjnë në heshtje, si drita që bie ngadalë mbi muret e një klase të braktisur. Në këto imazhe, përditshmëria nuk paraqitet si dokument, por si një gjendje shpirtërore. Një tavolinë, një makinë, një dritare, një lule të gjitha bëhen dëshmi të vogla të ekzistencës njerëzore, sikur artistja të përpiqet të shpëtojë nga harresa atë që zakonisht kalon pa u vënë re. Duket si një poezi e qetë në mënyrën se si ajo organizon ngjyrat dhe objektet.

Kompozimet janë të mbushura me jetë, por edhe me mungesë. Ato bartin ndjesinë e një bote të banuar dikur, ku njerëzit sapo janë larguar dhe kanë lënë pas gjurmët e tyre, një karrige të shtyrë lehtë, një bimë pranë dritares, një dhomë që ende ruan temperaturën emocionale të kujtimeve. Pikërisht këtu qëndron forca e veprës së Krasniqit në aftësinë për ta kthyer të zakonshmen në meditim mbi kohën.

Motivet florale, të përsëritura mbi mur, krijojnë një ritëm pothuaj metafizik. Lulet nuk janë vetëm zbukurim, ato duken si shenja të kujtesës që refuzojnë të zhduken. Përsëritja e tyre prodhon ndjesinë se kujtesa njerëzore funksionon në mënyrë ciklike, rikthehet vazhdimisht te të njëjtat imazhe, te të njëjtat ndjenja, duke kërkuar një formë mbijetese përballë kalueshmërisë.


Në pikturat e saj, koha nuk është lineare. E shkuara dhe e tashmja bashkëjetojnë në të njëjtën sipërfaqe. Interieret urbane, objektet e zakonshme dhe ngjyrat e ndezura krijojnë një tension mes intimes dhe kolektives, mes kujtimit personal dhe memories së një qyteti. Shikuesi nuk përballet vetëm me një imazh, por me një gjendje të brendshme, me ndjesinë se çdo hapësirë ruan një kujtesë të fshehtë, edhe kur njerëzit mungojnë. Në veprat e kornizuara dallohen kompozime të ndërtuara me kujdes, ku hapësira, objekti dhe figura bashkëjetojnë në një mënyrë të rregulluar, por jo të ftohtë.

Ka një ndjesi të qartë të skenës së jetuar: karrige, tavolina, dritare, ndërtesa, makina, bimë, brendësi shtëpie. Këto elemente nuk paraqiten vetëm si motive vizuale, por si gjurmë të një historie të përditshme. Kjo e vendos artin e Krasniqit në një zonë ku kujtimi personal dhe ambjenti social ndërthuren pa u shpërndarë në abstraksion të pastër.

Në këtë kuptim, arti i Rina Krasniqit është një reflektim mbi brishtësinë e përvojës njerëzore. Ajo na kujton se jeta nuk përbëhet vetëm nga ngjarjet e mëdha, por nga ato çaste të vogla që drita i prek për një moment dhe më pas i lë të zhduken ngadalë në heshtje.

By admin1