Pak ditë para zgjedhjeve, imagjinata e Kurtit po lë nam. Nën urdhrat e tij, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e emëroi një rrugë te re te rrethrrotullimi në Mitrovicë me emrin e ish-kryeministrit të vrarë serb, Zoran Gjingjiq. Ndër vite, Kurti e ka luanizuar politikanin serb si reformator e properëndimor të madh. Por, serbi nga Shamaci i Bosnjës, që gëzoi përkrahjen e Willy Brandtit dhe mori doktoraturë për filozofi në Gjermani, do të zhgënjente këdo që priste ardhjen e Mesiut demokratik në Ballkan. Nga zyrat e Gjingjiqit u përzu shqelma edhe jugosllavofili francez, Jack Lang, kur ky kërkoi ndërprerjen e luftërave. ‘Disidenti’ serb mbante letërkëmbim edhe me Ratko Mlladiqin, kurse kur u bë kryeministër kërcënoi me luftë po të bëhej një “shtet i ri shqiptar”
Col Mehmeti
3 qershor 2026 – Më 8 dhjetor 1996, Jack Lang mësyu Beogradin.
Socialisti i shampanjës, dikur ministër i Kulturës në Francë, ishte nga ata syleshët në Perëndim që nxirrnin xixa nga sytë për ‘demokracinë’ në Jugosllavi.
Ai ishte frymëzuar nga demonstratat studentore që bëheshin në udhët e Beogradit kundër Sllobodan Millosheviqit.
Shi për këtë, Lang erdhi kastile në Beograd që t’i jepte mbështetje morale asaj që dukej si ‘opozitë’.
Krerët e lëvizjes që me gjasmë bënin sikur kundërshtonin Millosheviqin e ftuan në zyret e tyre te Departamenti i Filozofisë në Universitetin e Beogradit.
Por, pas pak minutash, mikun francez e nxorën shqelma për ta shpallur si “armik të serbëve”.
Me të shara e të bërtitura, Langun e urdhëruan që ta thyente qafën një orë e më parë.
I deluzionuar në jugosllavofilinë e tij, socialisti francez e kuptoi se studentët serbë nuk po e kundërshtonin Millosheviqin se e kishte filluar luftën, por pse nuk po ia dilte ta fitonte atë.
Kurti, fëmiju i martesës midis joviolencës dhe ‘bager revolucija’
Njëri nga ata që po bënte emër si ‘opozitar’ ishte edhe Zoran Gjingjiqi, një burrë në mesomoshë që thinjat ngadalë po ia merrnin anën.
Brenda pak vitesh, ai do t’ia fitonte zemrën edhe një aktivisti nga Kosova që pëlqente të quhej ithtar i jodhunës, që e kundërshtonte afshërisht UÇK-në, dhe besonte se Amerika e Perëndimi ishin të padëshiruar në Kosovë.
Kur Albin Kurti u bë kryeministër, ai do të bëhej i pari në Kosovë e Serbi që Gjingjiqit do t’i ngriste një lapidar jofizik.
Në 21-vjetorin e atentatit ndaj Gjingjiqit, Kurti do ta lëshonte dorën në vlerësime përnaltësuese.
Vrasja e Gjingjiqit, sipas Kurtit, ishte “çmimi që ai pagoi për qëndrimin e tij pro-perëndimor e pro-reformave, që përfshinte edhe dërgimin e Millosheviqit në Hagë”.
Dy vjet para se ta krijonte lëvizjen urbane në Prishtinë që u quajt ‘Vetëvendosje’ (serbisht ‘Samoopredelenie’), Kurti ruante një përshtypje fare pozitive për kryeministrin serb.
Në shkrimin “Vrasja që ‘normalizoi’ Serbinë”, të botuar më 31 mars 2003, pra 19 ditë pas atentatit në rrugën Nemanjina në Beograd, aktivisti 28-vjeçar nga Prishtina e portretoi Gjingjiqin si një filozof që nuk u kuptua mirë nga politika.


Më radikal sesa Millosheviqi
Nga e mërkura, emri i Gjingjiqit do të jetë bri-për-bri me tabelën me emrin e Isa Boletinit te rrethi në hyrje të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës.
Po cila është historia e panjohur e Gjingjiqit që fshihet pas tabelës ngjyrëkaltër?
Kur më 1998 historiani gjerman Stefan Troebst i bëri një skicë peizazhit politik në Serbinë e fundviteve ‘90, ai e përmblodhi me një vlerësim tejet kuptimplotë:
“I gjithë spektri i opozitës politike serbe ndaj Millosheviqit ishte edhe më nacionalist sesa vetë ‘Slloba’…Idetë e Vojsllav Sheshelit, Vuk Drashkoviqit, dhe Zoran Gjingjiqit për Kosovën ishin më radikale sesa qasja relativisht fleksibile e Millosheviqit…”
Për studiues nga rajoni e bota, kontributi i Gjingjiqit në protestat studentore të 1996-s e 1997-s ishte pothuajse i njejtë me atë të luftënxitësve që e kishin pushtetin.
Studiuesi, Branimir Anzuloviq në librin e tij ‘Serbia hyjnore’ (përkthyer në shqip nga Fitim Salihu dhe i botuar nga ‘Koha’ më 2017) thotë se skenat në sheshet e Beogradit ishin të tilla ku studentët nuk lëshonin pé nga vizioni për Serbinë e Madhe.
“Disa protestues mbanin simbole – siç ishin portretet e Njegoshit – që dëftonin se ata i tumirnin masakrat në luftën për një komb homogjen dhe shpërfaqnin se ata ishin të zemëruar me Milosheviqin jo pse ai e nisi luftën, por pse ai nuk e fitoi atë. Dy politikanët kryesorë që u vunë në krye të valës së pakënaqësisë – Zoran Gjingjiqi dhe Vuk Drashkoviqi – nuk dhanë një alternativë të njëmendtë ndaj politikave të Milosheviqit. Ata nuk neveriteshin nga obsesioni nacionalist me Serbinë e Madhe (në të cilën vetë ata shtyheshin me Milosheviqin) e as nuk i denoncuan mitet që ia pamundësuan shumë serbëve të pajtoheshin me të kaluarën e tyre”, shkruan Anzuloviq.
“Po na e marrin Kosovën dhe Metohinë”
Ngjyrat e vërteta të Gjingjiqit do të shfaqeshin cullak kur ai erdhi në pushtet më 25 janar 2001.
Në takimin e parë me sekretarin amerikan të Shtetit, Colin Powell, ‘reformatori’ serb kërcënoi se çdo veprim i njëanshëm rreth pavarësimit të Kosovës mund të pasohej me luftë.
Kur e kuptoi se vullneti i Perëndimit ishte që Kosova shkallë-shkallë të merrte rrugën drejt pavarësisë, Gjingjiqi në muajt që i paraprinë atentatit u bë gjithnjë e më i egër në deklarimet e tij publike.

Sipas tij, Perëndimi nuk donte më ndërrim pushteti, por vetëm shkatërrim të Serbisë.
Mesazhi publik që doli nga goja e tij për popullin serb ishte fare eksplicit:
“Nëse ata duan të na e marrin Kosovën dhe Metohinë në emër të të drejtave etnike dhe identitetit të shqiptarëve, duke i shpërfillur kufijtë dhe sovranitetin e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë – ne do të kërkojmë një Marrëveshje të re Dejtoni”.
Letra e turpshme për Mlladiqin dhe “ushtrinë e lirisë”
Një serbomadh që e vajtonte luftën pse nuk u bë më me efikasitet?
Pas çdo gjase, ky do të ishte portreti i vetëm kur kundrohet jeta e tij në politikë.
Dromcë pas dromce, intervistë pas interviste, po bëhej e qartë se Gjingjiqi nuk donte ta shihte të zhbëhej Jugosllavia pa u bërë realitet Serbia e Madhe.
Më 28 qershor 1994, në emër të Partisë Demokratike, ai i nisi një letër udhëheqësit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.
‘Disidenti’, i cili më 1979 mori doktoraturë filozofie në Universitetin e Konstanzit, shkruante se serbët kishin nevojë për një ushtri të fortë në Bosnjë.
“Ushtria e Republikës Srpska, e formuar gjatë luftës për liri, është një shembull sesi një ushtri e vogël por popullore mund të ruajë me sukses shtetin dhe të mbrojë njerëzit”, thuhej në letrën dërguar Mlladiqit.

Drejt Serbisë së Madhe
Dy vite më vonë, në një fjalim të incizuar, Gjingjiqi shprehej se qëllimi politik e shtetëror duhej të ishte bashkimi i shteteve serbe:
“Ne jemi një bashkësi e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, dy shtete serbe. Një numër i vogël që janë malazezë kundërshtojnë të jenë serbë. Ne mendojmë se e vetmja zgjidhje për problemet tona kombëtare e shtetërore, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, është krijimi i një unioni të shteteve serbe, që do të përfshinte Serbinë, Malin e Zi, dhe Republikën Srpska. Dhe ky duhet të jetë qëllimi ynë politik e shtetëror. Nëse s’mund të bëhet menjëherë, ne duhet të punojmë për të”.
Ky projekt, sipas filozofit të shndërruar në politikan, do të jetësohej përmjet një shteti federal, ku pjesë e tij do të ishin edhe malazezët si “pjesë e kombit serb”.
Edhe gazetari gjerman Gerald Praschl, në shtjellimin e tij ‘Das Leben des Zoran Djindjić’, vinte në dukje se Gjingjiqi opozitar ishte më i egër sesa vetë Millosheviqi kur bëhej fjalë për Bosnjën.
Madje ndodhte që Millosheviqi, nën trysninë ndërkombëtare, të distancohej nga serbët e Bosnjës të udhëhequr nga Karagjiqi.
Këtë nuk e bënte Gjingjiqi që vazhdonte të avokonte për një konfederatë mes Republika Srpskas dhe Jugosllavisë.
I tillë mbeti gjer në frymën e fundit.
Ideja për Kosovën si Qipro
Njëzet ditë para se të vritej, në një intervistë të dhënë për TV Republika Srpska në Banja Llukë, kryeministri serb kërcënoi se po të bëhej Kosova e pavarur, edhe Republika Srpska do ta ndiqte të njejtën udhë.
“Nëse doni të krijoni një shtet shqiptar në shekullin e 21 në territorin që i përket shtetit të Serbisë, atëherë ju po e rihapni një proces që menduat se u mbyll në Dejton. Dhe kjo nuk është dëshirë e imja, por më tepër një përshkrim i gjendjes”, tha Gjingjiqi.
Tekqë po e shihte që Perëndimi nuk po i honepste kërcënimet e tij me projektin serbomadh, ai shtroi në tavolinë edhe karta të tjera.
4 ditë para vrasjes, në një intervistë për ‘Vecernje Novosti’, ai shfaqi idenë që Kosova të federatizohej në dy pjesë sipas modelit të Qipros.
Atëherë sa e meriton një rrugë në Mitrovicë ta përjetësojë këtë trashëgimi? /Nacionale/


