Mbi 1 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën si pasojë e vetëvrasjes që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Të dhënat tronditëse janë bërë publike pas analizimit të dokumenteve konfidenciale të agjencisë shtetërore ruse të statistikave, Rosstat, nga gazeta britanike “The Guardian”.
Sipas të dhënave, janë identifikuar gjithsej 1,087 raste vetëvrasjesh mes personelit ushtarak rus. Këto shifra përbëjnë një humbje të konsiderueshme, të krahasueshme me numrin e efektivëve të një regjimenti të tërë ushtarak.
Raporti evidenton gjithashtu 885 raste të tjera të vdekjeve nga plagët e shkaktuara me armë zjarri, të cilat janë klasifikuar me “qëllim të papërcaktuar”. Ekspertët vlerësojnë se një pjesë e këtyre rasteve mund të jenë vetëvrasje të cilat nuk janë regjistruar zyrtarisht si të tilla.
Të paktën 614 nga rastet e dokumentuara kanë ndodhur në territoret e pushtuara të Ukrainës ose në rajonet ruse pranë kufirit, kryesisht në Belgorod dhe Bryansk. Më shumë se gjysma e vetëvrasjeve janë kryer me armë zjarri, ndërsa rastet janë regjistruar në kampe ushtarake, pozicione luftarake, poligone stërvitore dhe banesa private.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të vazhdueshme të rasteve përgjatë viteve të luftës. Nga më shumë se 50 raste të regjistruara në vitin 2022, numri u rrit në mbi 200 në vitin 2024, ndërsa në vitin 2025 arriti në 365. Për vitin 2026 janë regjistruar pothuajse 300 raste, megjithëse të dhënat konsiderohen ende të paplota.
Ekspertët dhe organizatat që ndihmojnë ushtarët rusë të dezertojnë besojnë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta. Sipas tyre, presioni i vazhdueshëm psikologjik, abuzimet, dhuna nga eprorët dhe detyrimi për të marrë pjesë në misione jashtëzakonisht të rrezikshme janë ndër faktorët që ndikojnë në gjendjen e rënduar të ushtarëve.
Ndërkohë, Kremlini nuk publikon të dhëna zyrtare mbi vetëvrasjet në radhët e ushtrisë, duke i mbajtur statistikat e viktimave ushtarake sekret shtetëror. Raporti thekson se disa prej rasteve mund të regjistrohen si humbje në luftime, duke e bërë edhe më të vështirë përcaktimin e numrit të vërtetë të viktimave.
Kriza në ushtrinë ruse pasqyrohet edhe në numrin e lartë të dezertimeve dhe refuzimeve për të kryer shërbimin ushtarak. Sipas të dhënave të cituara në raport, deri në fund të majit 2025, gjykatat ushtarake ruse kishin marrë në shqyrtim çështje ndaj 20,662 personave për refuzim të shërbimit, ndërsa të paktën 49 mijë ushtarakë ishin shpallur dezertorë ose të larguar pa leje nga detyra.
Të dhënat e publikuara hedhin dritë mbi gjendjen e rënduar psikologjike dhe presionin me të cilin përballen trupat ruse në frontin e luftës në Ukrainë.


