Shkruan:Nefail Emini
Në Maqedoninë e Veriut janë intensifikuar diskutimet mbi reformën zgjedhore, e cila pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në arkitekturën politike të vendit dhe, në veçanti, në përfaqësimin parlamentar të shqiptarëve. Një nga variantet më të përmendura në debatet politike është kalimi drejt një njësie të vetme zgjedhore, një model që konsiderohet nga disa aktorë politikë si më proporcional, por që njëkohësisht ngjall shqetësime për rishpërndarjen e mandateve.
Këto diskutime kanë prodhuar ndarje të theksuara ndërmjet subjekteve politike në vend. Një pjesë e tyre mbështesin modelin me tetë njësi zgjedhore, ndërsa të tjerat propozojnë një sistem me një njësi të vetme zgjedhore, lista të hapura dhe një prag zgjedhor prej 5 për qind. Debati mbetet i hapur dhe i ngarkuar politikisht, pasi prek drejtpërdrejt balancat ekzistuese të përfaqësimit.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut funksionon me një sistem proporcional të ndarë në gjashtë njësi zgjedhore, ku zgjidhen gjithsej 120 deputetë, përkatësisht nga 20 deputetë për secilën njësi. Shpërndarja e mandateve bëhet sipas formulës së D’Hondt-it, e cila favorizon proporcionalitetin në nivel njësie, por në praktikë ndikon edhe në përfaqësimin final të partive.
Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2009, përveç gjashtë njësive zgjedhore brenda territorit të vendit, u parashikuan edhe tri njësi zgjedhore për diasporën: Njësia Zgjedhore 7 që përfshin Evropën dhe Afrikën, Njësia Zgjedhore 8 që përfshin Amerikën Veriore dhe Jugore, si dhe Njësia Zgjedhore 9 që përfshin Australinë dhe Azinë.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 dhe krahasimi mes dy modeleve zgjedhore
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut u mbajtën në maj të vitit 2024, ku u regjistruan gjithsej 979.549 vota të vlefshme.
Nëse këto vota shpërndahen sipas subjekteve politike dhe simulohet një sistem me një njësi të vetme zgjedhore, krahasuar me sistemin aktual me gjashtë njësi zgjedhore, rezultati do të paraqitej si më poshtë:
| Subjektet | Votat | Mandatet 6 njësi | Mandatete 1 njësi |
| VMRO-DPMNE | 436.407 | 58 | 53-54 |
| LSDM | 154.447 | 18 | 18-19 |
| FRONIT EVROPIAN | 137.690 | 18 | 16-17 |
| VLEN | 106.937 | 14 | 13
|
| LEVICA | 68.637 | 6 | 8-9 |
| ZNAM | 56.232 | 6 | 7 |
Nga ky simulim, rezulton se VMRO-DPMNE do të humbiste 4 deri në 5 mandate në rast të aplikimit të një njësie të vetme zgjedhore. LSDM do të kishte një rritje të lehtë prej 1 mandati. Fronti Evropian do të humbiste 1 deri në 2 mandate, ndërsa VLEN do të humbiste 1 mandat. Nga ana tjetër, Levica do të përfitonte ndjeshëm me 2 deri në 3 mandate shtesë, ndërsa ZNAM do të fitonte 1 mandat më shumë.
Ndikimi i modelit me një njësi zgjedhore në përfaqësimin e shqiptarëve
Një nga çështjet më të ndjeshme në këtë debat është ndikimi i reformës zgjedhore në përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Kuvend. Sipas të dhënave të zgjedhjeve të vitit 2024, subjektet politike shqiptare kanë fituar gjithsej 32 mandate në sistemin aktual me gjashtë njësi zgjedhore.
Nëse i njëjti rezultat do të përllogaritej në një sistem me një njësi të vetme zgjedhore, numri i deputetëve shqiptarë do të reduktohej në 29 ose 30, pra me një humbje prej 2 deri në 3 mandatesh.
Ky ndryshim lidhet kryesisht me konceptin e “pragut natyror”. Në sistemin aktual, një mandate mund të sigurohet me rreth 7.000 deri në 8.000 vota, që në praktikë përbën një prag efektiv prej rreth 5 për qind në nivel njësie. Megjithatë, ndarja në gjashtë njësi zgjedhore bën që partitë më të vogla të mos arrijnë gjithmonë të përkthejnë votat e tyre në mandate.
Në një sistem me një njësi të vetme zgjedhore, votat do të grumbulloheshin në nivel kombëtar, duke rritur proporcionalitetin e përgjithshëm të sistemit dhe duke favorizuar subjektet më të vogla politike. Megjithatë, kjo do të ndikonte edhe në rishpërndarjen e mandateve ndërmjet partive më të mëdha, përfshirë edhe ato shqiptare si Fronti Evropian dhe VLEN.
Një tjetër element me rëndësi është pjesëmarrja në votime. Të dhënat e zgjedhjeve të vitit 2024 tregojnë se dalja në Njësinë Zgjedhore 6, ku përqendrohet një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar, është më e ulët se në Njësinë Zgjedhore 4. Në sistemin aktual, kjo diferencë nuk ndikon në ndarjen e mandateve, pasi çdo njësi zgjedhore përfaqësohet me 20 deputetë.
Megjithatë, në një sistem me një njësi zgjedhore, kjo diferencë do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në rezultatin përfundimtar, pasi votat do të përllogariteshin në nivel kombëtar. Në këtë rast, pjesëmarrja më e ulët në zona të caktuara do të ndikonte në uljen e përfaqësimit parlamentar të subjekteve shqiptare.
Duke marrë parasysh strukturën demografike të Maqedonisë së Veriut dhe karakterin multietnik të saj, reforma zgjedhore mbetet një çështje me rëndësi të lartë politike dhe institucionale. Pavarësisht modelit që do të zgjidhet, një njësi apo disa njësi zgjedhore, sfida kryesore mbetet garantimi i një përfaqësimi sa më proporcional dhe gjithëpërfshirës në Kuvend.
Në këtë kontekst, partitë politike shqiptare përballen me nevojën për një koordinim më të madh dhe për ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët, me qëllim që reforma zgjedhore të mos cenojë nivelin aktual të përfaqësimit të tyre politik.



