VLEN: Edhe Tirana e konfirmon, gjuha shqipe po avancon, propaganda e BDI-së mbetet pa treg

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për qëndrimin e Hristijan Mickoskit ndaj gjuhës shqipe është bërë pikë referimi për VLEN-in në përplasjen me BDI-në. Partia shqiptare në pushtet e paraqiti vlerësimin e Ramës si mbështetje për qasjen e saj, ndërsa akuzoi opozitën se po e përdor çështjen e gjuhës për të krijuar frikë te qytetarët.

Në intervistën për podkastin “Rishtazi” në KohaCast, Rama deklaroi se në komunikimin me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut nuk ka vërejtur rezerva ndaj shqipes apo ndonjë qasje superioriteti të gjuhës maqedonase. Megjithatë, ai theksoi se ky vlerësim nuk e përjashton vigjilencën ndaj çdo prapakthimi të mundshëm. “Për hir të së vërtetës, dua të them që kryeministri Mickoski nuk më ka lënë në asnjë moment përshtypjen e dikujt që ka rezerva ndaj gjuhës shqipe apo që ka një qasje superioriteti të gjuhës maqedonase ndaj shqipes. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se ne nuk do të jemi vigjilentë dhe të vëmendshëm, apo se mund të tolerojmë në heshtje ndonjë prapakthim në raport me gjuhën shqipe”, deklaroi Rama.

Pas kësaj deklarate, VLEN përmes një kumtese tha se gjuha shqipe është një e drejtë e fituar dhe pasuri e përbashkët, mbrojtja dhe avancimi i së cilës kërkojnë punë konkrete. “Gjuha shqipe nuk është temë për fushata politike as mjet për të mbjellë frikë te qytetarët. Ajo është e drejtë e fituar dhe pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, e cila mbrohet dhe avancohet me punë konkrete, jo me alarme të rreme. Këtë po bën VLEN në qeveri, hap pas hapi”, thuhet në kumtesë.

Sipas VLEN-it, Rama ka vlerësuar gjithashtu përpjekjet e partive shqiptare në qeveri për avancimin e përdorimit të shqipes, duke përmendur licencat dhe diskutimet për përdorimin e saj në provimin e jurisprudencës. Partia e interpretoi këtë si vlerësim për qëndrimin e saj ndaj çështjes së gjuhës.

Duke iu drejtuar BDI-së, VLEN pretendoi se përplasjet partiake po paraqiten nga opozita si rrezik për të drejtat e shqiptarëve. “Përplasjet ndërmjet partive nuk përbëjnë një situatë alarmante për shqiptarët, ashtu siç BDI përpiqet ta paraqesë ditë për ditë”, theksohet në reagim.

VLEN iu referua edhe bashkëpunimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke argumentuar se marrëdhëniet e qeverisë me Tiranën dhe Prishtinën kundërshtojnë pretendimet e BDI-së për cenimin e pozitës së shqiptarëve.

Në kumtesë përmenden edhe Korridori 8, Universiteti “Nënë Tereza”, rrugët Tetovë–Prizren dhe Shkup–Bllacë, si dhe sistemi kufitar “One Stop Shop”, të cilat VLEN i rendit ndër projektet kryesore të qeverisë. Partia përfundoi se do të vazhdojë angazhimin për të drejtat e shqiptarëve dhe avancimin e gjuhës shqipe, ndërsa kërkoi që BDI të japë llogari për atë që e cilësoi si keqpërdorim politik të kësaj çështjeje.