Njohësit e proceseve politike në vend, pas një periudhe relativisht të shkurtër të qeverisjes nga koalicioni aktual, e kanë kuptuar se kjo qeveri vështirë se do ta çojë mandatin deri në fund.
Mosndryshimi i Kushtetutës dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm, përfshirë botën serbe, konsiderohen ndër dështimet kryesore të kësaj qeverie. Margjinalizimi i faktorit politik shqiptar, injorimi i tij në qeveri, si dhe përpjekjet për kufizimin e të drejtave të shqiptarëve, përbëjnë kulmin e këtyre zhvillimeve shqetësuese.
Analizat e VMRO-së,
sipas të cilave opozita maqedonase mbetet ende e dobësuar, si dhe “rejtingu” i lartë i partisë së parë maqedonase përmes politikave ditore dhe qasjeve anti-shqiptare, mund të kenë shërbyer si shtysë që kryeministri dhe rrethi i tij të paralajmërojnë zgjedhje të parakohshme.
Pritet që këto zgjedhje të sjellin zhvillime të reja në rrugëtimin e vendit drejt BE-së, apo të përcaktojnë kahjen që do të ndjekë vendi në të ardhmen.
Një gjë duket e sigurt: shumë deputetë pa legjitimitet të plotë, apo ata që kanë siguruar mandate me vota të huaja dhe kanë aderuar, nuk do të defilojnë më para qytetarëve pa u përballur me përgjegjësinë dhe verdiktin e tyre.

