Regjistrimet audio të publikuara si pjesë e të ashtuquajturit skandali “Hondurasgate” kanë pohuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu luajti rol në sigurimin e lirimit të ish-presidentit të Hondurasit, Juan Orlando Hernandez dhe mbështeti përpjekjet më të gjera për të minuar qeveritë progresive në Amerikën Latine.
Regjistrimet, të publikuara nga “Diario Red en America Latina” dhe faqja e internetit “Hondurasgate”, dyshohet se zbulojnë koordinimin midis Hernandezit, aleatëve të presidentit të SHBA-së Donald Trump, presidentit të Argjentinës Javier Milei dhe figurave të lidhura me Izraelin për të krijuar një platformë mediatike digjitale që synon përhapjen e dezinformatave kundër qeverive të Meksikës, Brazilit dhe Kolumbisë.
Sipas raporteve, projekti synon të shënjestrojë administratat e presidentes së Meksikës, Claudia Sheinbaum, presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva dhe presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro.
Një bisedë e publikuar dyshohet se paraqet Hernandezin duke diskutuar mbi planet me presidentin aktual të Hondurasit, Nasry Asfura për të krijuar një “qendër informacioni” me bazë në SHBA që do të operonte një platformë lajmesh të Amerikës Latine përtej mundësive të autoriteteve të Hondurasit.
Ish-udhëheqësi i Hondurasit dyshohet se pretendoi se iniciativa kishte mbështetje nga republikanët afër Trumpit dhe mbështetje financiare nga Milei. “Do të krijojmë një qendër nga SHBA-ja”, thuhet të ketë thënë Hernandez në një regjistrim duke shtuar se “Do të ketë raste që do të ngrihen kundër Meksikës, kundër Kolumbisë dhe veçanërisht kundër Hondurasit”.
Akuzat morën më shumë vëmendje pasi regjistrimet pretenduan se Netanyahu kishte “të bënte gjithçka” me negociatat rreth lirimit të Hernandezit nga burgu. Hernandez, i njohur zakonisht si JOH, u dënua në New York në vitin 2024 me 45 vjet burg për akuza për trafik droge pasi prokurorët amerikanë e akuzuan atë për ndihmë në transportimin e qindra tonë kokaine në SHBA.
Sipas regjistrimeve të publikuara, vendimi i Trumpit për të falur Hernandezin para zgjedhjeve në Honduras dyshohet se ishte i lidhur me një marrëveshje më të gjerë gjeopolitike që përfshinte rrjete pro-Izraelit. “Paratë e faljes as nuk erdhën nga ju”, thuhet se thotë Hernandez në një regjistrim duke shtuar se “Ato erdhën nga një grup rabinësh dhe njerëzish që mbështetën Izraelin”.
Regjistrimet pretendojnë më tej se aktorët e lidhur me Izraelin e shihnin Hernandezin si një aleat strategjik në përpjekjet për të kundërshtuar ndikimin e krahut të majtë në Amerikën Latine.
Rrjedhja e skedarëve audio thuhet se është marrë nga bisedat në WhatsApp, Signal dhe Telegram të regjistruara midis janarit dhe prillit 2026. “Hondurasgate” tha se regjistrimet u analizuan, duke përdorur një program autentifikimi zëri mjeko-ligjor të zhvilluar nga kompania çeke “Phonexia”.
Presidentja e meksikane, Sheinbaum tha këtë javë se kishte dëgjuar pjesë të regjistrimeve dhe hodhi poshtë fushatën e dyshuar kundër qeverisë së saj. “Ata mund të krijojnë një zyrë fushate shpifjeje kundër qeverisë sonë në Honduras. Kjo nuk do të na prekë”, tha ajo gjatë një konference për media.
Ky debat vjen mes tensioneve në rritje midis Washingtonit dhe disa qeverive të Amerikës Latine mbi trafikun e drogës, ndikimin rajonal dhe përafrimin e politikës së jashtme./ AA.


