Shqipëria, Aleatët Perëndimorë dhe Zëri i Dobët i Faktorit Shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut!

Për shqiptarët në trojet etnike, pra edhe për ne në Maqedoninë e Veriut, Shqipëria dhe aleatët perëndimorë janë themeli i orientimit tonë politik, kombëtar dhe strategjik.

Shqiptarët në rajon e dinë mirë se roli i kryeministrit të Shqipërisë nuk është vetëm institucional, por edhe kombëtar e diplomatik, sidomos në raport me faktorët ndërkombëtarë dhe me mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve tanë, si SHBA-ja dhe BE-ja.

Reklame

Tirana zyrtare ka ndërtuar raporte të drejtpërdrejta me liderët shqiptarë në rajon dhe shpesh është parë si zëri politik që koordinon interesat shqiptare në raport me partnerët strategjikë ndërkombëtarë. Pikërisht për këtë arsye, çdo dobësi e faktorit shqiptar në qeverisje, sidomos në rastin e Maqedonisë së Veriut, reflektohet edhe në raportet me Tiranën zyrtare.

Pakënaqësia që perceptohet nga shteti amë ndaj rolit të dobët të VLEN-it në qeveri lidhet me faktin se shqiptarët prisnin përfaqësim më dinjitoz, më të fuqishëm dhe më të barabartë në vendimmarrje. Kur partneri shqiptar në qeveri shihet i anashkaluar, i heshtur apo pa ndikim real politik, krijohet përshtypja se vota shqiptare nuk po përkthehet në fuqi reale institucionale.

Në politikë, respekti fitohet me qëndrime të qarta, me dinjitet dhe me mbrojtje të interesit kombëtar. Aleatët tanë ndërkombëtarë mbështesin stabilitetin, bashkëpunimin dhe barazinë, por gjithashtu presin që përfaqësuesit shqiptarë të kenë vizion, seriozitet dhe peshë reale politike në qeverisje.

By admin7