Paralajmërim për rritjen e çmimeve të biletave të avionit në Evropë, të pashmangshme për shkak të luftës me Iranin

Çmimet e biletave të avionëve në Evropë pritet të rriten ndjeshëm si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme dhe problemeve me furnizimin me karburant. Paralajmërimi vjen nga kreu i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), Willie Walsh, i cili tha se rritja e kostove është “e pashmangshme”.

Sipas tij, linjat ajrore nuk mund të përballojnë për një kohë të gjatë çmimet e larta të karburantit të avionëve, të shkaktuara nga tensionet dhe bllokimet në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore të furnizimit me naftë në botë.

Reklame

Megjithëse disa kompani kanë ulur përkohësisht çmimet për të nxitur udhëtimet, Walsh theksoi se kjo situatë nuk do të zgjasë dhe kostot shtesë do të reflektohen te pasagjerët.

“Me kalimin e kohës është e pashmangshme që çmimi i lartë i naftës të sjellë bileta më të shtrenjta”, deklaroi ai për BBC.

Britania e Madhe dhe vendet evropiane mbeten shumë të varura nga importet e karburantit nga Gjiri Persik. Për këtë arsye, ekziston frika se gjatë verës mund të ketë vështirësi në furnizim, sidomos në periudhën me fluks të lartë udhëtimesh.

Nga ana tjetër, autoritetet britanike dhe ato evropiane kanë siguruar se aktualisht nuk ka mungesë të karburantit për avionët dhe po punohet për të gjetur alternativa furnizimi.

Sipas Walsh, edhe nëse situata në Ngushticën e Hormuzit normalizohet shpejt, ndikimi në tregun e aviacionit mund të vazhdojë për muaj, madje edhe gjatë vitit të ardhshëm.

By admin5