Ishin pjesë e anijes ku shpërtheu hantavirusi, Holanda rikthen menjëherë katër australianë në vendin e tyre

Katër qytetarë australianë që ndodheshin në bord të anijes MV Hondius, ku ka shpërthyer një infeksion me hantavirus, pritet të kthehen në Australi nga Holanda, pas sigurimit të një avioni dhe ekuipazhi të përshtatshëm për udhëtimin.

Ministri i Shëndetësisë, Mark Butler, njoftoi se qytetarët, së bashku me një banor të përhershëm dhe një qytetar të Zelandës së Re, do të nisen nga Holanda të enjten dhe do të arrijnë në Perth të premten pasdite, sipas orës lokale, shkruan Guardian.

Reklame

“Shtatë pasagjerë janë ende në gjendje të mirë shëndetësore, të gjithë kanë rezultuar negativ për hantavirus dhe nuk shfaqin simptoma,” tha Butler.

Pasagjerët dhe ekuipazhi do të udhëtojnë gjatë gjithë fluturimit me veshje mbrojtëse të plota (PPE), me kushte shumë të rrepta për fluturimin, zbritjen dhe karantinën.

Pas mbërritjes, pasagjerët do të qëndrojnë të paktën tre javë në qendrën e karantinës Bullsbrook në Western Australia. Ekuipazhi i avionit që i sjell në Australi do të duhet gjithashtu të qëndrojë në karantinë, ose në Australi, ose në një vend tjetër.

Shpërthimi deri tani ka përfshirë 11 raste të raportuara, nga të cilat 9 janë konfirmuar zyrtarisht, dhe tre persona kanë humbur jetën. MV Hondius, i regjistruar në Holandë, po udhëton drejt Roterdamit me 25 anëtarë ekuipazhi dhe dy staf mjekësor. Pas zbarkimit, ekuipazhi do të futet në karantinë dhe anija do të pastrohet dhe dezinfektohet në mënyrë të plotë.

By admin5