E ardhmja e Igli Tare te AC Milan duket gjithnjë e më e pasigurt. Mediat italiane raportojnë se drejtuesi shqiptar mund të largohet nga posti i drejtorit sportiv vetëm një vit pasi mori detyrën në “San Siro”.
Sipas raportimeve të “MilanNews24”, ndonëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubi, drejtuesit kuqezi po shqyrtojnë ndryshime në strukturën sportive pas një sezoni që nuk ka përmbushur pritshmëritë.
Tare iu bashkua Milanit verën e kaluar pas një periudhe shumë të gjatë te Lazio, ku ndërtoi reputacion si një nga drejtorët sportivë më të vlerësuar në Itali. Megjithatë, aventura e tij te “rossonerët” nuk ka rezultuar sipas planeve.
Raportet në Itali flasin për marrëdhënie jo të mira mes Tares, këshilltarit të klubit Zlatan Ibrahimović dhe trajnerit Massimiliano Allegri, çka besohet se ka ndikuar në klimën brenda klubit.
Ndërkohë, Milani tashmë thuhet se ka nisur të mendojë për pasuesin e mundshëm të Tares. Emri më i përfolur është ai i Tony D’Amico, aktualisht pjesë e Atalanta, i cili vlerësohet shumë për punën e tij në merkato dhe ndërtimin e skuadrës bergamase.


