Arsenali shpallet kampion i Anglisë pas 22 viteve

Pritjes së gjatë, prej plot 22 vjetësh, i erdhi fundi. Arsenali është kampion i Anglisë në futboll. Titullin e 14-të, të parin që nga viti 2004, skuadra e Arsenalit e siguroi të martën mbrëma.

Barazimi 1:1 i Manchester Cityt me Bournemouthin bëri që Arsenali të shpallet kampion i Premier Leagues. Një xhiro para fundit, Arsenali i ka 82 pikë, katër më shumë se Manchester City.

Reklame

Kështu xhiroja e fundit do të jetë festive për Arsenalin dhe e ndarjes me trajnerin Pep Guardiola për Manchester Cityn. City këtë edicion ka fituar Kupën FA dhe Kupën e Ligës. Por trofeu kryesor i Anglisë i takon Arsenalit, që po ashtu në fund të muajit do të luajë në finale të Ligës së Kampionëve.

Arsenali në vjetët e fundit ishte në garë për titull, por mbeti për pak prapa. Këtë edicion skuadra e Mikel Artetas ka kryesuar shumicën e kohës. Në pranverë pati rënie të formës dhe kjo i mundësoi Manchester Cityt që të futej në garë për titull.

Pas humbjes nga Manchester City më 19 prill, “topçinjtë” shënuan fitore ndaj Newcastle Unitedit, Fulhamit, West Hamit dhe të hënën mbrëma edhe ndaj Burnleyt, për të siguruar titullin që tifozët e Arsenalit e kanë pritur gjatë.

Golin për Bournemouthin ndaj Cityt e shënoi Eli Junior Kroupi në minutën e 38-të. Skuadra e Guardiolas nuk ndali përpjekjet për barazim dhe atë e arriti në minutë e katërt shtesë, kur Erling Haaland realizoi supergol. Por City nuk kishte kohë më.

Në xhiron e fundit të Premier Leagues, të dielën nga ora 17:00, Arsenali luan në udhëtim ndaj Crystal Palace, ndërsa Manchester City e pret Aston Villan.

Arsenali tani i ka 14 tituj të kampionit. Vetëm Liverpooli e Manchester Unitedi kanë më shumë tituj të Anglisë – nga 20. Manchester City mbetet me 10 tituj të kampionit.

By admin7