Dy trupat e fundit të zhytësve italianë që humbën jetën në shpellën e Alimathà-s, në Maldive, janë gjetur dhe nxjerrë në sipërfaqe. Bëhet fjalë për trupat e 22-vjeçares Giorgia Sommacal dhe të studiueses Muriel Oddenino, duke përmbyllur kështu operacionin e kërkimit për të pesë personat e zhdukur.
Sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme italiane, trupat janë identifikuar dhe operacionet e rikuperimit janë kryer nga një ekip zhytësish finlandezë, të ndihmuar nga kolegë nga Maldivet. Një prej trupave është nxjerrë tashmë në një anije mbështetëse, ndërsa për tjetrin operacionet kanë vijuar me procedurat e nevojshme të dekompresionit.
Giorgia Sommacal ishte vajza e profesoreshës Monica Montefalcone nga Universiteti i Gjenovës, ndërsa Muriel Oddenino ishte studiuese në të njëjtin universitet, me origjinë nga Pulia dhe me banim në provincën e Torinos.
Dy trupat u gjetën së bashku në pjesën më të thellë dhe më të vështirë të shpellës së përmbytur, aty ku ndodheshin të pesë italianët që morën pjesë në zhytje.
Operacionet e kërkimit janë zhvilluar nga një ekip i specializuar zhytësish finlandezë, të mbështetur nga ekspertë lokalë, të cilët kanë punuar për ditë të tëra në kushte shumë të vështira në thellësi prej rreth 60 metrash.
Ndërkohë, trupi i një tjetër pjesëtari të grupit, operator dhe kapiten i anijes, Gianluca Benedetti, ishte gjetur më herët dhe është kthyer në Itali, ku ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
Prokuroria e Romës ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa pritet që pas kthimit të të gjithë trupave në Itali të urdhërohen autopsitë dhe të hetohen në detaje rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet e Maldives kanë bërë të ditur se vetëm disa nga pjesëmarrësit kishin lejet e nevojshme për zhytjen, ndërsa për drejtuesin e zhytjes nuk kërkohej i njëjti autorizim.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali, ku familjarët e viktimave po përballen me një dhimbje të madhe dhe me pritjen e kthimit të trupave në vendlindje.


