Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve, duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë dhe duke theksuar se vullneti i sovranit duhet respektuar.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh mirënjohës ndaj votuesve në Kosovë dhe diasporë, duke vlerësuar mbështetjen që i është dhënë Aleancës në këto zgjedhje.
“Kur Sovrani flet, të tjerët heshtin! Mirënjohës ndaj çdo angazhimi tuajin. Falënderues për besimin e dhënë. Ju që i besuat vizionit që patëm për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar, ndryshimeve që bëmë, një rreshtimi të ri drejtues dhe sfidave për atdheun e përbashkët”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tha se vota e qytetarëve kësaj radhe kishte një domethënie të veçantë, duke shtuar se mbështetësit e Aleancës nuk ranë pre e, siç e quajti ai, propagandës dhe luftës hibride kundër subjektit të tij politik.
Sipas Haradinajt, vota e marrë është një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin për një Kosovë të zhvilluar, sovrane dhe në partneritet të përhershëm me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai gjithashtu tha se e kupton lodhjen e qytetarëve nga proceset e shpeshta zgjedhore, por vlerësoi se mbështetja e marrë në këto rrethana ka peshë edhe më të madhe.
Në fund, Haradinaj uroi qytetarët dhe institucionet e angazhuara në organizimin e zgjedhjeve, duke shprehur besimin se procesi ka qenë i lirë, i ndershëm dhe demokratik.

