Futbolli kthehet në makth: Bastet sportive po shkatërrojnë jetët e të rinjve

Ndërsa miliona tifozë në mbarë botën presin me padurim ndeshjet e Kupës së Botës FIFA 2026, ekspertët paralajmërojnë për një tjetër fenomen që po rritet paralelisht me ethet e futbollit – varësinë nga bastet sportive.

Turneu pritet të sjellë fitime rekord për kompanitë e basteve, por për mijëra persona që luftojnë me varësinë nga kumari, ai përfaqëson një sfidë të madhe psikologjike.

Një 19-vjeçar nga Cyrihu, i identifikuar si Luca, rrëfen se ka arritur të qëndrojë larg lojërave të fatit për një muaj. Megjithatë, afrimi i Kupës së Botës po e vë sërish në provë.

“Tani që Kupa e Botës po fillon, jam përsëri i tunduar. Por dua të qëndroj i fortë”, thotë ai.

Varësia e tij nisi me baste të vogla gjatë periudhës së praktikës profesionale. Me kalimin e kohës, shumat u rritën dhe bastet u kthyen në një pjesë të përditshme të jetës së tij.

“Një bast e bën çdo ndeshje më emocionuese”, rrëfen ai, duke shtuar se më vonë filloi të vinte baste edhe në ndeshje për të cilat nuk kishte asnjë interes sportiv.

Sipas tij, humbjet e përgjithshme kanë arritur në rreth 20 mijë franga zvicerane përmes basteve sportive, kazinove online dhe formave të tjera të lojërave të fatit.

Për të shmangur rikthimin, Luca ka ndryshuar stilin e jetesës, duke kaluar më shumë kohë me miqtë, duke u marrë me sport dhe duke ndërprerë kontaktet me persona që vazhdojnë të merren rregullisht me baste.

Sipas organizatës zvicerane për parandalimin e varësive, bastet sportive online janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Të rinjtë konsiderohen grupi më i rrezikuar, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre shfaqin sjellje problematike lidhur me lojërat e fatit.

Një tjetër rrëfim vjen nga një 35-vjeçar nga Berna, i cili pranon se prej më shumë se 15 vitesh është i varur nga bastet sportive.

“Unë punoj dhe fitoj para vetëm që të mund të vë bast. Çdo gjë tjetër nuk ka më rëndësi për mua”, thotë ai.

Sipas tij, gjatë viteve ka humbur disa qindra mijëra franga dhe ende nuk ka arritur të gjejë një rrugëdalje nga varësia. Në ditë të caktuara, ai shpenzon nga 600 deri në 800 franga vetëm për baste.

Ekspertët paralajmërojnë se ngjarjet e mëdha sportive, si Kupa e Botës, mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e rikthimit te personat që janë përpjekur të largohen nga kumari, duke theksuar rëndësinë e informimit dhe mbështetjes për grupet më të prekura.

By admin