Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të ecë më shpejt drejt integrimit evropian jo për shkak të kërkesave të jashtme, por sepse qytetarët e meritojnë një të ardhme më të mirë dhe institucione më funksionale
Kryeministri, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se vendi duhet të përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, por pa bërë lëshime në çështjet që lidhen me identitetin kombëtar maqedonas dhe pa pranuar kushte të reja dypalëshe në procesin eurointegrues. Duke folur në Strumicë në shënimin e 36-vjetorit të VMRO-DPMNE-së, Mickoski theksoi se anëtarësimi në BE mbetet objektiv strategjik i vendit, por kërkoi garanci të qarta nga Brukseli se procesi i integrimit nuk do të kushtëzohet më me çështje bilaterale, shkruan gazeta KOHA. “Vendi i qytetarëve të Maqedonisë është në tryezën e Brukselit si anëtar i plotfuqishëm i Bashkimit Evropian. Megjithatë, presim një konkluzion të qartë se nuk do të ketë më kushte dypalëshe dhe se identiteti, gjuha, kultura dhe tradita maqedonase janë fakte të pakontestueshme. Nuk ka negociata për identitetin maqedonas”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të ecë më shpejt drejt integrimit evropian jo për shkak të kërkesave të jashtme, por sepse qytetarët e meritojnë një të ardhme më të mirë dhe institucione më funksionale. Deklaratat e Mickoskit vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes vazhdojnë të mbeten të ndjeshme për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me procesin negociues me BE-në dhe të drejtat e komunitetit bullgar në vend.
Ndërkohë, ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, ka vlerësuar se paralajmërimet për bllokimin e pikave kufitare mes dy vendeve janë kundërproduktive dhe mund të dëmtojnë pozitën e Bullgarisë në raport me Maqedoninë e Veriut. Duke komentuar nismën e fondacionit bullgar “Maqedonia” për organizimin e protestave dhe bllokimin dyorësh të vendkalimeve kufitare, Petrova-Çamova theksoi se këto aktivitete nuk janë të lidhura me qeverinë bullgare dhe nuk kontribuojnë në mbrojtjen e interesave kombëtare.
“Nuk ka nevojë të hyhet në një spirale përshkallëzimi dhe t’i përgjigjemi çdo provokimi. Bullgaria disponon mekanizma të mjaftueshëm diplomatikë për të mbrojtur qëndrimet e saj para institucioneve evropiane”, deklaroi ministrja. Sipas saj, Sofja nuk ka interes për përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shkupin dhe duhet të ruhet komunikimi institucional ndërmjet dy vendeve.
Tensionet e fundit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u intensifikuan pas incidentit në Shkup, ku u dogjën dy automjete me targa diplomatike të Ambasadës së Bullgarisë. Autoritetet maqedonase arrestuan të dyshuarin për rastin, ndërsa ngjarja u dënua nga të dyja qeveritë. Çështjet bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes mbeten një nga pengesat kryesore në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Qeveria kërkon garanci se nuk do të përballet me kushte të reja gjatë negociatave, ndërsa Bullgaria vazhdon të insistojë në respektimin e marrëveshjeve të arritura dhe në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me komunitetin bullgar në vend.

