Në ditën kur shqiptarët po përballen me pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi emërtimet e rrugëve me përmbajtje dhe simbolikë shqiptare në Tetovë, eksponentët e VLEN-it vazhdojnë të merren me BDI-në, duke përsëritur akuza të shteruara.
BDI përmes një reagimi thotë se Ironia është se ndërsa VLEN nuk sheh asgjë problematike në drejtimin që po merr shteti, Parlamenti Evropian në raportin e tij më të fundit ka ritheksuar shqetësimet për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “Botë Serbe” në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Institucionet evropiane e shohin rrezikun, e identifikojnë dhe e adresojnë atë publikisht. Por VLEN jo.
BDI
Parlamenti Evropian e sheh. Shqiptarët e shohin. Opinioni publik e sheh. Vetëm VLEN nuk e sheh. Dhe arsyeja është e qartë. Ata janë verbuar nga dy gjëra: nga jugonostalgjia e tyre dhe nga obsesioni i tyre me BDI-në. BDI do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e fituara të shqiptarëve, identitetin kombëtar dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, pavarësisht përpjekjeve të atyre që sot heshtin përballë kthimit të simboleve të së kaluarës dhe sulmeve ndaj arritjeve historike të shqiptarëve.
Por, nga VLEN përnmes një komunikate pohojnë se Raporti i Parlamentit Evropian konfirmon se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian
VLEN e vlerëson si veçanërisht të rëndësishëm mesazhin e raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Thomas Vaitz, se vendi ynë ka potencialin dhe kapacitetin për të qenë pjesë e valës së ardhshme të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kjo dëshmon se institucionet evropiane vazhdojnë ta shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë të familjes evropiane dhe partner të besueshëm në rajon.
VLEN
Për VLEN-in, integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një orientim strategjik dhe civilizues që garanton sundim të ligjit, institucione funksionale, zhvillim ekonomik, standard më të lartë jetese dhe perspektivë më të mirë për qytetarët. Ne besojmë se rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes reformave të vërteta, luftës kundër korrupsionit, forcimit të shtetit të së drejtës, administratës efikase dhe institucioneve transparente. Pikërisht për këtë arsye, VLEN do të vazhdojë të kontribuojë me përgjegjësi dhe vendosmëri në përmbushjen e agjendës reformuese dhe në avancimin e procesit eurointegrues.
Parlamentit Europian miratoi një amendament për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut.
Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve të RMV-së që të zgjidhin sa më shpejt këtë çështje si dhe kërkon që protestat e studenteve të mos portretizohen si faktor destabilizues apo si të motivuara politikisht. “I bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si një faktor destabilizues”, thuhet në amendament.

