Nga VLEN thonë se me miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Statutit të Universitetit “Nënë Tereza” në Kuvend, po hapet një kapitull i ri në zhvillimin e universitetit publik në gjuhën shqipe.
“Ky vendim forcon kapacitetet institucionale të universitetit, zgjeron ofertën akademike dhe krijon mundësi të reja për studentët shqiptarë dhe për të gjithë të rinjtë që zgjedhin ta ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes dijes dhe arsimit cilësor.
Përmes këtyre ndryshimeve, Universiteti “Nënë Tereza” avancon strukturën e tij akademike me Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Humane, duke u shndërruar në një qendër edhe më të fuqishme të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional.
Njëkohësisht, forcohet dimensioni ndërkombëtar i universitetit përmes harmonizimit të standardeve akademike dhe lëshimit të diplomave në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze, duke rritur mundësitë për mobilitet dhe konkurrueshmëri në tregun evropian të punës.
VLEN mbetet e përkushtuar që arsimi të jetë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit kombëtar. Investimi në Universitetin “Nënë Tereza” është investim në rininë tonë, në dijen, në profesionalizmin dhe në të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.24 vite u fol për avancimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Sot, për 24 muaj me vendime konkrete, po ndërtojmë institucione më të forta, më funksionale dhe më të përgatitura për sfidat e së ardhmes”, thonë nga VLEN.

