Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten në mbrëmje në autostradën A4 pranë Oerlingenit, në drejtim të Winterthurit, duke shkaktuar mbylljen e përkohshme të autostradës.
Sipas informacioneve fillestare, rreth orës 19:10, dy automjete janë përplasur në një segment me dy korsi. Dyshohet se reshjet e dendura të shiut kanë ndikuar në humbjen e kontrollit të njërës makinë, e drejtuar nga një grua 27-vjeçare, e cila ka rrëshqitur nga korsia e djathtë në atë të parakalimit.
Si pasojë, ajo është përplasur me një automjet tjetër që drejtohej nga një burrë 28-vjeçar. Pas goditjes së fortë, makina e tij është përmbysur dhe ka përfunduar mbi çatinë e saj.
Në automjet ndodheshin edhe bashkëshortja e shoferit dhe një fëmijë i vogël. Fatmirësisht, të tre kanë arritur të dalin nga makina pa lëndime serioze dhe janë dërguar në spital për kontroll mjekësor.
Ndërkohë, shoferja 27-vjeçare është nxjerrë nga automjeti nga zjarrfikësit dhe është transportuar me ambulancë në spital, ku është trajtuar për lëndime të lehta.
Policia kantonale e Cyrihut, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit.
FaktiDitor.info

