Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i është përgjigjur në mënyrë simbolike akuzave dhe sulmeve publike të deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, duke publikuar në rrjetet sociale një video duke vallëzuar me studentët shqiptarë të shoqëruar me këngën e njohur popullore “Do marrë çiftenë, do dalë për gjah bashkë me zagar”, ndërsa mbi të ka vendosur mbishkrimin: “O Sarandë, o Delvinë, kush ta prishi qetësinë.”
Reagimi i ambasadorit vjen pasi deputetja Imeri Stafai vuri në dyshim incidentet që, siç dihen tashmë, kanë ndodhur vitin e kaluar Shkup.
Ajo hodhi poshtë pretendimet se qenit të ambasadorit i ishte hedhur helm, si dhe deklarimet se ishte dëmtuar automjeti zyrtar i Ambasadës së Shqipërisë, duke u marrë edhe sende personale që ndodheshin brenda tij.
Incidenti me automjetin zyrtar kishte ndodhur vitin e kaluar, gjatë kohës kur ambasadori Meidani ishte në një darkë punë me dy politikanë në një restorant në Shkup. Gjatë darkës, automjetit të ambasadës iu thye xhami në parking, ndërsa autorët e ngjarjes nuk u identifikuan asnjëherë nga organet kompetente.
Në statusin e saj në FB, deputetja Saranda Imeri Stafai kërkoi që ambasadori të paraqesë prova konkrete për pretendimet e tij.
“Nëse dikush ka akuza, le t’i bëjë publike me fakte, me data, me prova dhe para institucioneve përkatëse. NUK KA! SEPSE NUK KANË NDODHUR! Kush e helmoi qenin? Kush ta theu banesën? Dil mor në mejdan dhe trego. Ama jo ke zgjedhur me organizatorët e protestave të kënaqesh në Jalë. Ke dështuar!”, ka shkruar ajo në Facebook, ndërsa shihet se nuk e njeh rolin e diplomatin të deleguar në një shtet.
Në të njëjtin status, deputetja akuzoi ambasadorin se që nga fillimi i mandatit të tij ka vepruar më shumë në funksion të rikthimit të BDI-së në pushtet sesa në ushtrimin e rolit diplomatik.
“Që nga dita e parë, veprimet e ambasadorit Mejdani kanë lënë përshtypjen se angazhimi i tij ka qenë më shumë në funksion të rikthimit të BDI-së në pushtet sesa ruajtjes së rolit që i takon një diplomati. Sado mekanizma të përdoren dhe sado skenarë të ndërtohen, një gjë është e qartë: koha e politikës së vjetër ka marrë fund. No pasaran!”, shkroi ajo.
Ndryshe nga akuzat e drejtpërdrejta të deputetes, ambasadori Meidani zgjodhi të mos japë një kundërpërgjigje politike, por reagoi me një postim simbolik dhe ironik, duke përdorur humorin dhe ironinë përmes një kënge popullore shqiptare dhe mbishkrimit “O Sarandë, o Delvinë, kush ta prishi qetësinë”, që u interpretua gjerësisht si një përgjigje indirekte ndaj sulmeve të deputetes së VLEN-it. (koha.mk)



