Haxhiu: Kushdo që mendon se po shkelet Kushtetuta, le t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke komentuar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe mospjesëmarrjen e partive politike në takimet për zgjedhjen e presidentit, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu ka thënë se, sipas saj, edhe në vitin e kaluar Kuvendi nuk ishte konstituar brenda afatit prej 30 ditësh, duke argumentuar se nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese deri në konstituim kishin kaluar rreth 160 ditë.

“Në vitin e kaluar, prej momentit kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që brenda 30 ditëve duhet të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, e deri në konstituim kanë kaluar diku 160 ditë — pra jo 30, po 160 ditë. Po t’u heqim këtu ditët kur çështjet kanë qenë duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese, janë gjithsej diku 59 ditë. Pra, nuk është konstituar as vitin e kaluar seanca brenda 30-ditëshit”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se presidenti, apo në situatën aktuale ushtruesja e detyrës së presidentes, ka 30 ditë nga certifikimi për ta thirrur seancën konstituive, ndërsa ka vlerësuar se deputetëve duhet t’u mundësohet kohë për të bërë përpjekje maksimale për konstituimin e Kuvendit.

“Por në anën tjetër, ju e dini që sipas Kushtetutës, presidenti — në këtë rast Kosova nuk ka president, ka vetëm ushtrues detyre — i ka 30 ditë nga certifikimi për të thirrur seancën konstituive. Tash po u mbetet deputetëve vetëm një ditë përpjekje, nëse flasim për këtë interpretim, vetëm një ditë përpjekje për ta konstituar Kuvendin. Kjo s’ka logjikë. Deputetët duhet ta kenë mundësinë që të bëjnë përpjekje maksimale për konstituimin e Kuvendit”, tha ajo.

Haxhiu ka lidhur çështjen e konstituimit të Kuvendit edhe me afatin për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se pas konstituimit nis afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit.

“Në rrethanat aktuale, ju e dini që në momentin që të konstituohet Kuvendi, vlen afati pastaj për zgjedhjen e presidentit prej 60 ditëve. Duket që ka një përpjekje, që unë s’po e kuptoj, që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, por e kanë gabim. Kushdo që përpiqet që përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj që ka shumë gabim, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë votuar për të kontribuuar për marrëveshje, e jo që të veprojmë në mënyrë të tillë dhe të përpiqemi që ta çojmë vendin në zgjedhje. Nuk na duhen zgjedhjet”, është shprehur Haxhiu.

Ajo u ka bërë thirrje partive politike dhe deputetëve që të marrin pjesë në seancë dhe të kërkojnë një marrëveshje politike, duke theksuar se, sipas saj, vetëm përmes takimeve mund të arrihet një zgjidhje.

“Prandaj, unë i thërras partitë politike që të vijnë sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu i thërras deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, liderët e partive politike, që të bëjnë përpjekje maksimale që të arrijmë një marrëveshje, sepse vetëm duke u takuar me njëri-tjetrin mund të arrijmë një marrëveshje. Ju e dini që Kryeministri Kurti ka pasur përpjekje maksimale, i ka ftuar subjektet politike. Unë nuk e kuptoj pse refuzojnë që të vijnë në takime. Megjithatë, qytetarët do t’i vlerësojnë veprimet e secilit prej nesh”, ka thënë ajo.

E pyetur se kush do të jetë kandidati për kryetar të Kuvendit, në mungesë të një marrëveshjeje politike, Haxhiu ka thënë se propozimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje.

“I takon Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit. Ju e dini që në këtë drejtim Vetëvendosje ka ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit për subjektet opozitare, vetëm e vetëm që të arrijmë një marrëveshje në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Prandaj është e rëndësishme që të ketë përpjekje për të arritur marrëveshje, por jo bojkot, jo bllokim, jo akuza, sepse mendoj që pavarësisht dallimeve të mëdha që i kemi me subjektet politike, është e rëndësishme që të jemi bashkë me qëllim që ta mbërrijmë një marrëveshje, dhe pastaj diskutimet e dallimet i vazhdojmë më tutje”, ka deklaruar Haxhiu.

E pyetur nëse seanca e sotme është antikushtetuese, pasi sipas gazetarëve afati për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar në mesnatën e së premtes, Haxhiu ka thënë se çdo subjekt që e konteston seancën mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, unë e ftoj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ju e dini që vitin e kaluar e kanë bërë në vazhdimësi. Prandaj edhe sot, në qoftë se nuk pajtohen me thirrjen e kësaj seance, e kanë mundësinë që ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar këtë seancë si çështje kushtetuese për shkak se bëhet fjalë për konstituimin e Kuvendit”, tha ajo.

Haxhiu ka shpjeguar edhe arsyen e pjesëmarrjes së saj në seancën e sotme, duke thënë se është ftuar nga kryesuesi i seancës konstituive.

“Unë jam këtu, besoj edhe të tjerët do të jenë, sepse jam ftuar nga kryesuesi i seancës konstituive. Nëse edhe mbrëmë do të ishim ftuar nga kryesuesi pas 40 nënshkrimeve, natyrisht që do të vija, sepse jemi të obliguar që të vijmë në seancë, por nuk ka pasur një gjë të tillë. Dhe unë nuk e kuptoj pse s’i kanë protokolluar nënshkrimet. Për sa kohë thoshin se jemi tri subjekte politike opozitare bashkë, atëherë pse nuk i kanë protokolluar?”, ka thënë ajo.

Haxhiu është pyetur edhe nëse ka informacion nëse kërkesat e deputetëve për mbajtjen e seancës i janë dorëzuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.

“Jo. 40 nënshkrime nuk i janë drejtuar zotit Avni Dehari, pra kryesuesit të seancës. Prandaj unë s’po e kuptoj pse s’i kanë dërguar. Në qoftë se ata kanë dashur që të mbahet seanca, është kaq e thjeshtë: i dorëzon 40 nënshkrime”, u përgjigj Haxhiu.

E pyetur për deklaratën e deputetit Besnik Tahiri, i cili kishte thënë se administrata e Kuvendit ishte informuar për kërkesën, Haxhiu ka bërë dallimin mes njoftimit dhe protokollimit të nënshkrimeve.

“Njoftimi, po. Njoftimi — kjo është e vërtetë — njoftimi që do të shkojnë në seancë ka ndodhur, mirëpo është i pamjaftueshëm. Duhet që të protokollohen 40 nënshkrime. Nuk ka ndodhur kjo dhe unë s’po e kuptoj pse s’ka ndodhur. Sa kanë ardhur këtu dhe kanë dalë në konferenca duke thënë se janë mbyllur dyert për deputetët, kanë mundur shumë thjesht t’i protokollojnë nënshkrimet. Kryesuesi i seancës do të ishte i obliguar që ta thërriste seancën”, ka deklaruar ajo.

By admin7